Futboll

Rexhbeçaj shpreson me Kosovën të kualifikohet në Botërorin 2026

Elvis Rexhbeçaj

Foto: FFK

Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Elvis Rexhbeçaj, thotë se shpreson që me Kosovën të kualifikohet në Botërorin 2026 të futbollit. 

Kosova gjenden në Grupin B të eliminatoreve për Botërorin 2026 që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe SHBA. Në këtë grup janë edhe Sllovenia, Suedia dhe Zvicra. 

“Është një grup shumë i barabartë ku çdo ekip mund të mposht çdo ekip tjetër. Ne e kemi dëshmuar disa herë që mund të mbajmë nivel të lartë kundër kombëtareve më të mëdha, dhe nëse jemi në formën tonë më të mirë dhe gjejmë ritmin, çdo gjë është e mundur, madje edhe për një ekip si ne, që konsiderohet e nënvlerësuar”, tha Rexhbeçaj. “Ne duam të shkojmë përpara dhe kemi një objektiv të qartë përpara: të arrijmë në Kupën e Botës. Do të mund të realizojmë këtë qëllim vetëm nëse tregojmë pasion dhe bashkëpunim si ekip, ku çdo lojtar punon për njëri-tjetrin”. 

Rexhbeçaj thotë se kualifikimi në Botëror do të ishte gjë e madhe për Kosovën.

“Kam vështirësi ta shpreh me fjalë se sa e madhe do të ishte kjo për vendin dhe për mua personalisht. Mendoj se përfaqësimi i vendit tuaj në Kupën e Botës, edhe nëse është vetëm një herë, është kulmi i suksesit për çdo futbollist. Do të ishte diçka fantastike, megjithatë e dimë që ende ka shumë për të kaluar”, tha mesfushori që luan për skuadrën e Bundesligës gjermane Augsburg. 

Rexhbeçaj me Kosovën i ka luajtur pesë ndeshje deri më tash. Ai për herë të parë luajti në shtator të vitit të kaluar në Ligën e Kombeve. 

“Kam pasur kontakt të parë me Franco Fodën në fillim të vitit të kaluar. Sapo kaloi ligji që lejonte shtetasit gjermanë të merrnin shtetësinë e dyfishtë, nuk kishte asnjë dyshim që do të luaja për Kosovën. Që nga ai moment, natyrisht që isha i gatshëm të bëja debutimin tim, dhe më në fund arrita ta bëja atë përballë Rumanisë në shtator”, tha Rexhbeçaj. 

Kosova ndeshjet e radhës i ka në mars më 20 dhe 23 mars, ku do të përballet me Islandën në barazh për inkuadrim në Ligën B të Ligës së Kombeve. 

“Ne duam të vazhdojmë nga aty ku e lamë në fazën e grupeve duke kontrolluar posedimin e topit dhe duke diktuar lojën, dhe në fund të dalim fitues për t’u ngjitur në Ligën B. Nuk do të jetë e lehtë: Islanda është një ekip me përvojë dhe ka disa lojtarë të klasit botëror, por kemi mundësi nëse luajmë në nivelin më të lartë të mundshëm”, tha mesfushori.