Elvis Rexhbeçaj me skuadrën e Augsburgut e fituan 1:0 në udhëtim te Dortmundi ndeshjen e xhiros së 25-të të Bundesligës gjermane, të shtunën.
Mesfushori i Kosovës ishte titullar pas një kohe të gjatë dhe është i lumtur për kthimin në fushën e lojës.
Ai luajti 58 minuta.
Rexhbeçaj ishte i sëmurë dhe nuk luajti në duelin ndaj Mainzit më 8 shkurt. Më pas ishte në bankën rezervë në tri ndeshje rresht. Të shtunën luajti për herë të parë që nga 4 shkurti.
“Jam i lumtur që nisa ndeshjen nga fillimi pas një kohe të gjatë. Ishte fitore e madhe për ne sepse kishim 10 vjet prej fitores së fundit në udhëtim te Dortmundi. Nuk është e lehtë të fitosh në këtë stadium. Ne nuk i humbëm shanset që kishim dhe u mbrojtëm mirë. Dortmundi na la hapësirë, por duhej t’i shfrytëzonim më mirë rastet në mënyrë që ta mbyllnim ndeshjen më herët. E kemi ditur se ndërprerjet mund të ishin opsion i mirë ndaj një kundërshtari të tillë. Luajtëm mirë kur nuk e kishim topin në këmbë dhe po vazhdojmë të kemi paraqitje të forta në pjesën e dytë të sezonit”, ka deklaruar pas ndeshjes Rexhbeçaj.
Augsburgu ka nëntë ndeshje pa pësuar disfatë në Bundesligë, me pesë fitore e katër barazime.
27-vjeçari Rexhbeçaj me Augsburgun i ka shënuar dy gola e ka kontribuuar me një asistim në 23 paraqitje.
Me Kosovën ka zhvilluar pesë ndeshje.