Futboll

Rexhbeçaj i bashkohet Kosovës

Elvis Rexhbecaj

Mesfushori Elvis Rexhbeçaj ka vendosur që ta përfaqësojë Kosovën në futboll. Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Futbollit e Kosovës të shtunën. 

Rexhbeçaj është shprehur i lumtur që do t’i bashkohet “Dardanëve”. 

“Sot i thash ‘po’ Kosovës. Falënderoj në radhë të parë familjen time për përkrahje të vazhdueshme, falënderoj Agim Ademin si dhe Fekmi Kongjelin dhe gjithë FFK-në, që për shumë vite kanë qëndruar në kontakt me mua. Pres me padurim të bashkohem me shokët e Kombëtares dhe t’i realizojmë ëndrrat tona. Unë deri më tani kisha pengesa ligjore për shkak të pasaportës së Kosovës. Tani me ligjin e ri që erdhi për lejimin e dy pasaportave vendosa me zemër t’i bashkohem Kosovës. Forca Dardanët!”, është shprehur Rexhbeçaj. 26-vjeçari është pjesë e skuadrës gjermane Augsburg.

Rexhbeçaj vlerësohet si mesfushor shumë cilësor, aty ku Kosova ka çaluar për kohë të gjatë në mungesë të futbollistëve. Mesfushori qendror ka përvojë të madhe në futbollin gjerman. Ka zhvilluar 159 paraqitje në Bundesligë, ndërsa ka shënuar nëntë gola e tetë asistime në total. 

Rexhbeçaj është zhvilluar si futbollist te të rinjtë e Wolfsburgut, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Koelni e Bochumi.