Futboll

Reus largohet nga Dortmundi pas 12 vjetësh

Marco Reus

Pas 12 vitesh qëndrim, mesfushori Marco Reus ka marrë vendim të largohet nga Borussia Dortmundi në fund të këtij edicioni.

Në një video emocionuese për fansat, Reus ka njoftuar se nuk do të rinovojë kontratën me skuadrën e Dortmundit.

“Kam luajtur në këtë stadium të mrekullueshëm për 12 vjet. Unë ia kam kushtuar gjysmën e jetës sime këtij klubi. Kam kaluar shumë ngritje dhe ulje, më shumë ngritje, për mendimin tim. Klubi dhe unë kemi marrë vendimin për të mos nënshkruar vazhdimin e kontratës”, u shpreh Reus.

Reus ishte kthyer në Dortmund nga Borussia Monchengladbachu në vitin 2012 dhe që atëherë ka luajtur në 424 ndeshje. Ai ka shënuar 168 gola dhe ka kontribuar me 128 asistime për 12 vjet.

Presidenti i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, është shprehur se Reusi e ka derën hapur te Dortmundi edhe pas pensionimit.

“Marco është një nga lojtarët më të mëdhenj të këtij klubi, ai kaloi 10 vjet në akademinë tonë, 12 vjet me ekipin e parë. Lidhja e tij me Borussia Dortmundin është e jashtëzakonshme. I urojmë Marcos gjithë të mirat për të ardhmen nga thellësia e zemrës. Ne gjithashtu shpresojmë që ai të kthehet në Dortmund kur të pensionohet, sepse ka shumë role emocionuese për të këtu”, tha Watzke.

34-vjeçari ka fituar dy tituj me Dortmundin, kurse ka qenë kapiten i skuadrës nga viti 2018 deri në  vitin e kaluar. Në vitin 2019 ishte shpallur  futbollisti i vitit në Gjermani.

Reus në mesazh ka shprehur dëshirën që karrierën te Dortmundi ta mbyll me fitimin e Ligës së Kampionëve.

“E di që lamtumira në fund të sezonit do të jetë e vështirë, por jam i kënaqur që tani ka qartësi dhe mund të fokusohemi plotësisht në këto ndeshje të rëndësishme. Ne kemi një synim të madh përpara nesh që duam ta arrijmë së bashku. Ne duam të shkojmë në ‘Wembley’. Ne duam ta kthejmë trofeun e Ligës së Kampionëve në Dortmund”.

Skuadra gjermane të mërkurën në stadiumin “Signal Iduna Park” ka arritur fitore ndaj Paris Saint-Germanit me rezultat minimal 1:0, në ndeshjen e parë gjysmë finale të Ligës së Kampionëve. Ndeshja kthyese do të zhvillohet më 7 maj në stadiumin “Parc de Princes”.