Mesfushori Betim Fazliji të shtunën startoi për St. Gallenin pas plot 15 muajve. Gjatë kësaj periudhe ai ishte i përkushtuar që të kthehet me sukses, pas lëndimit të rëndë të gjurit.
Por të shtunën, 25-vjeçari pësoi tjetër lëndim serioz. Këputi sërish ligamentin kryqëzor të gjurit.
Fazliji u lëndua në ndeshjen ndaj Baselit që përfundoi 2:2. U zëvendësua që në minutat e parë, pas një dueli me Xherdan Shaqirin.
“Mbrëmë jeta ime ndryshoi në mënyrë drastike për të ardhmen”, shkroi Fazliji në rrjetet sociale.
“Një lëvizje, një moment dhe çdo gjë për të cilën kam punuar shumë përnjëherë ndalet. Këputja e ligamentit kryqëzor. Një fjalë që çdo sportist i frikësohet, por me të cilën tani më duhet të përballem sërish”.
Pikërisht ligamentin kryqëzor e kishte Fazliji të lënduar. Tani e ka lënduar gjurin tjetër, shkruan Blick.
Por mesfushori nuk dorëzohet.
“Ky nuk është fundi, por fillimi i një sfide të re. Një që do të më tregoj se sa i fortë jam”.
Ai e di se rruga drejt kthimit do të jetë e vështirë.
“Do të ketë ditë kur do të kem dyshime, kur do të jem i frustruar dhe kur do të dëshiroja që çdo gjë të jetë ndryshe. Por do të luftojë”.
Lëndimi i Fazlijit ka ndikuar te bashkëlojtarët dhe te lojtarët rivalë në Zvicër. Shumë prej tyre i kanë dërguar mesazhe përkrahjeje.
Fazliji i ka 14 ndeshje për Kosovën, ndërsa pritej që të ishte prej lojtarëve konkurrent për vend në mesfushë. Por kthimit i tij te Kosova nuk do të ndodhë së shpejti.