Futboll

Rekordi i pabesueshëm i Leverkusenit: 44 ndeshje pa humbje

Bayer Leverkusen

Bayer Leverkuseni ka thyer rekordin 12-vjeçar të Juventusit sa i takon ndeshjeve rresht pa pësuar disfatë. Skuadra e Granit Xhakës i ka plot 44 ndeshje pa humbje. Është rekord unik evropian, për shumëkë i pabesueshëm, shkruan sajti i televizionit zviceran, SRF.

“Nuk është e zakonshme, është paraqitje e jashtëzakonshme nga ekipi”, ka thënë drejtori sportiv i Leverkusenit, Simon Rolfes.

Skuadra e trajnerit Xabi Alonso barazoi 1:1 me West Hamin të enjten mbrëma në Londër. Ishte ndeshja e dytë çerekfinale e Ligës së Evropës. Leverkuseni kualifikohej edhe me humbje 1:0. Por barazimi kishte vlerë të madhe. U vazhdua seria pa humbje dhe u thye rekordi i gjigantit italian.

Në mes të majit të vitit 2011 dhe majit të vitit 2012, Juventusi i kishte 43 ndeshje rresht pa provuar ndjenjën e disfatës. Xhaka me shokë atë ndjenjë nuk e kanë për plot 44 ndeshje.

“44 ndeshje. Është shifër e jashtëzakonshme. Mund të jemi krenarë me punën tonë”, ka thënë Granit Xhaka.

Ai shpreson që seria e Leverkusenit të vazhdojë.

“Nëse dëshirojmë të fitojmë Ligën e Evropës na duhen fitore të tjera”, ka shtuar kapiteni i Zvicrës.

Drejtori sportiv Rolfes ka vlerësuar “konsistencën” dhe “shpirtin e veçantë” të skuadrës.

“Gjëja impresive është që kemi fituar shumicën e këtyre 44 ndeshjeve”, ka thënë ai.

Për herë të fundit ndeshje zyrtare Leverkuseni ka humbur më 27 maj të vitit të kaluar. Kishte pësuar 3:0 nga Bochumi në xhiron e fundit të Bundesligës gjermane në edicionin 2022/2023.

Rekordi ishte në rrezik të enjten thuajse deri në fund. Jeremie Frimpong shënoi me fat, në minutën e 89-të. Topi u devijua rrugës për në portë. Por përfundoi në cak dhe seria impresive vazhdoi.

Seria unike i ka mundësuar Leverkusenit të fitojë Bundesligën për herë të parë në historinë 120-vjeçare të klubit. Skuadra ka arritur në finale të Kupës së Gjermanisë dhe në gjysmëfinale të Ligës së Evropës.

Xhaka dhe të tjerët te Leverkuseni do të sfidohen menjëherë në fundjavë në Bundesligë nga Dortmundi. Secila fitore apo barazim tani do të jetë rekord i ri.