Sigal Prishtina i ka akuzuar arbitrat e huaj për humbjen nga Trepça të shtunën në Mitrovicë, në ndeshjen e tretë gjysmëfinale të plejofit. Prishtina kishte shkruar për “vjedhje klasike dhe hajni të paparë” nga ana e arbitrave.
Prishtina ka paraqitur edhe ankesë për një trepikësh të shënuar nga basketbollisti i Trepçës, Tekele Cotton. Sipas Prishtinës, treshja ishte realizuar pas skadimit të kohës për aksion.
Sipas vendimit të Komisionit të Garave, dy gjyqtarë nuk kanë konstatuar shkelje në momentin e aksionit dhe kanë pranuar pikët si të rregullta.
“Pasi në çerekun e parë trajneri i Prishtinës kishte shfrytëzuar të drejtën për ‘challenge’, gjyqtarët nuk kishin mundësi të shqyrtonin incizimet. Sipas rregullave, në këtë situatë nuk mund të përdoret rishikimi. Pas shqyrtimit të ankesës dhe analizës së raportit zyrtar të ndeshjes dhe incizimeve përkatëse, si dhe raportit të gjyqtarëve, Komisioni i Garave mori vendim për të refuzuar ankesën e Sigal Prishtinës”, shkruan në vendim.
Komisioni ka konstatuar se topi ishte në dorën e lojtarit kur përfundoi aksioni. Pra që gjuajtja është bërë me vonesë. Por komisioni ka vlerësuar se rregulloret kufizojnë përdorimin e teknologjisë për korrigjim dhe kështu vendimi mbetet në kompetencë të gjyqtarëve dhe ai nuk mund të ndryshohet pas përfundimit të aksionit.
Rrjedhimisht rezultati i ndeshjes ka mbetur në fuqi.