Liridon Mulaj ka shënuar njërin prej golave më të bukur të edicionit në Superligën e Zvicrës në futboll, nëse jo më të bukurin. Luhej minuta e 77-të e ndeshjes Stade Luasanne Ouchy – Servette, të shtunën, kur Mulaj goditi fuqishëm nga rreth 30 metra. Topi bëri një ngritje të lehtë rrugës për në portë dhe përfundoi mbi duart e portierit të Servettes. Supergoli ishte për rezultatin 2:1, ndërsa Mulaj shënoi edhe për 3:1. Ndërkohë asistoi në golin e parë.
U shpall më i miri i ndeshjes dhe është në konkurrencë për më të mirin e xhiros së 35-të në elitën helvetike. Për Lausanne Ouchy fitorja 3:1 me shumë mundësi është e vonshme. Skuadra është thuajse pa gjasa për të mbetur në elitën e Zvicrës.
Por për Mulajn, golat dhe asistimi kanë vlerë të madhe. Ai pas pak javësh largohet nga skuadra SLO dhe është duke shqyrtuar opsionet. Një paraqitje bindëse në Superligë natyrisht se nuk kalon pa u vërejtur.
Mesfushori 25-vjeçar ka pesë gola e një asistim në 28 paraqitjet e këtij edicioni. Nuk ka luajtur rregullisht.
“U ndërrua trajneri dhe trajneri i ri nuk është që më ka aktivizuar shumë. Por të shtunën luajta nga fillimi dhe dëshmova se mund të luaj në Superligë. Unë vazhdimisht e kam dhënë maksimumin dhe e kam pritur rastin. Shansi më erdhi fundjavën e kaluar dhe mendoj se e kam shfrytëzuar si duhet. Kam marrë shumë lëvdata për golin e bukur, por edhe për paraqitjen në përgjithësi”, ka thënë Mulaj për KOHËN.
“E pashë hapësirën dhe vendosa të godas. Goli ishte vërtet i bukur. Të gjithë po e vlerësojnë prej më të bukurve të këtij kampionati. Unë personalisht nuk kam parë gol më të bukur këtë kampionat. Është gjithashtu goli më i bukur që kam realizuar deri më tani”, ka shtuar futbollisti nga Isniqi i Deçanit.
Mulaj në Superligën e Zvicrës i ka 40 paraqitje. Dukshëm më shumë ka luajtur në kategorinë e dytë zvicerane. Në 114 paraqitje në kategorinë e dytë i ka realizuar 17 gola dhe ka bërë nëntë asistime. Ka luajtur për Xamaxin, Winterthurin, Kriensin dhe në dy vjetët e fundit për Lausanne Ouchy.
Edicionin e kaluar shpërtheu te kjo skuadër me tetë gola e katër asistime.
“Sa i takon hapit të ardhshëm në karrierë, jam duke pritur. Prej kur i kisha 17 vjet kam luajtur në kategorinë e dytë, por tani dua të luaj në Superligë. Mendoj se e kam cilësinë për Superligë. Të shohim cilat do të jenë opsionet. Kontrata më skadon muajin e ardhshëm dhe do të jem i lirë”, ka shtuar Mulaj.
Ai ka luajtur për U15, U16, U19 e U20 të Zvicrës. I ka katër gola në 16 paraqitje për Zvicrën.
“Kur është dashur të ftohem nga U21 të Zvicrës isha te Xamaxi dhe nuk po luaja shumë. Për këtë arsye mbeta jashtë ekipit. Pas paraqitjeve me U20 nuk jam ftuar më. Kam pasur disa kontakte me Kosovën dhe Shqipërinë, por jo diçka konkrete”, ka thënë Mulaj.
Para se të shpresojë në ftesë të Përfaqësueses A, Mulaj e di që i duhet të stabilizohet në Superligë dhe të shënojë gola e të asistojë. Këtë nuk e ka bërë shpesh te skuadra SLO, ku janë edhe disa shqiptarë të tjerë.