Real Madridi do të mundohet ta lërë prapa dëshpërimin e madh të Ligës së Kampionëve për t’u fokusuar në garën për titull në La Liga.
Reali të mërkurën u eliminua nga Liga e Kampionëve. Në çerekfinale u mposht dy herë nga Arsenali.
“Los Blancos” në fundjavë e pret ndeshje e vështirë në elitën e futbollit spanjoll.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Carlo Ancelotti të dielën nga ora 21:00 e pret Athletic Bilbaon, në kuadër të xhiros së 32-të.
Bilbao të enjten mbrëma e mposhti Rangersin me rezultatin 2:0 dhe u kualifikua në gjysmëfinale të Ligës së Evropës.
Real Madridi ka 66 pikë dhe renditet në pozitën e dytë në La Liga. Ka katër pikë më pak se liderja, Barcelona.
Bilbao e zë vendin e katërt me 57 pikë.
Skuadra e drejtuar nga Ernesto Valverde, Bilbao, ka tetë ndeshje pa humbje në të gjitha garat.
Klubi mbretëror aktualisht është në garë që ta fitojë La Ligan dhe Kupën e Mbretit.
Reali në finale të Kupës së Mbretit, më 26 prill nga ora 22:00, do të përballet me Barçën.
Gjiganti katalunas të shtunën nga ora 16:15 e pret Celta Vigon. Barça kërkon tjetër fitore për ta ruajtur diferencën e pikëve. Por nuk do ta ketë lehtë.
Celta Vigo renditet në pozitën e shtatë me 43 pikë.
Skuadra e Hansi Flickut pavarësisht se u mposht në ndeshjen e dytë çerekfinale nga Borussia Dortmundi, ka kaluar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Barça ka 12 ndeshje rresht pa humbje në ligë.
Të shtunën nga ora 21:00 luan Atletico Madridi me Las Palmasin.
Atletico i ka 63 pikë dhe renditet në pozitën e tretë.
Las Palmasi është në vendin e 18-të me 29 pikë. Po lufton për mbetje në elitë.