Futboll

Reali i pamëshirshëm shfaq dobësitë e shumta të Manchester Cityt

Haaland

(BBC) -Tifozët e Manchester Cityt e nisën natën duke shpalosur një pano fyese ndaj Real Madridit dhe Vinicius Juniorit, për reagimin e tyre plot zemërim pasi Rodri mposhti brazilianin në garën për Topin e Artë, vitin e kaluar.

Të ngacmosh skuadrën që është mësuar të ketë sukses në Ligën e Kampionëve, është gjë e rrezikshme. Dhe kjo u vërtetua të martën mbrëma në “Etihad”.

Lotët dhe dëshpërimi u takonin lojtarëve të Cityt dhe tifozëve të kampionit anglez pas fundit të ndeshjes. Goli i Jude Bellinghamit në minutën e 92-të ia siguroi fitoren 3:2 Real Madridit, që tani është në pozitë shumë më të favorshme për avancim në një të tetën e finales në Ligën e Kampionëve. Ndeshja e kthimit zhvillohet të mërkurën e ardhshme në “Santiago Bernabeu”.

Besimi i madh dhe mençuria e fituar nga përvoja e shumë sukseseve, ndihmuan që Madridi ta kthejë rezultatin nga 2:1 në të mirë të Cityt në 3:2 në të mirë të tij. Skuadra e Carlo Ancelottit po ashtu shfrytëzoi maksimalisht mungesnë e besimit te skuadra e Cityt.

Kontrasti ishte i madh. City u zbeh dukshëm në pjesën e dytë dhe humbi qetësinë kur ish-mesfushori i tij Brahimm Diaz shënoi golin e barazimit në minutën e 86-të.

Manchester City kurrë këtë edicion nuk ka shfaqur dominimin në ndeshjet si nikoqir. Madridi asnjëherë nuk mendon se është mposhtur. Dhe kështu ndodhi edhe të martën mbrëma. Për herë të pestë këtë edicion skuadra e Pep Guardiolas lëshoi epërsinë dhe u mposht.

Është ndoshta një tregues i gjendjes aktuale mendore të lojtarëve të Cityt dhe formës aktuale të skuadrës. City ka pranuar tetë gola në 16 minutat e fundit në pesë ndeshjet e fundit në Champions, më shumë se çdo skuadër tjetër.

Guardiola aktualisht po e drejton një skuadër me shumë kilometra të kaluar, me lojtarë që nuk janë plotësisht të gatshëm, apo që nuk janë fare të gatshëm si rasti i Rodrit. Çarjet kanë nisur të shihen përkundër tentimeve për riparim, por duket se skuadra ka nevojë për rinovim të madh.

Rodri po shikonte nga anash. Ai është përfshirë në skuadrën e Cityt për Ligën e Kampionëve, me shpresë se mund të rikuperohet nga lëndimi i gjurit. City ndaj Madridit kishte shumë nevojë për ndikimin e tij qetësues dhe cilësinë në mesfushë, në një tjetër ndeshje që e humbi me gola të minutave të fundit.

Kishte sërish fat të keq. Jack Grealish doli nga fusha i lënduar në minutën e 30-të, pasi shkëlqeu në fillim, me misionin për t’ia dëshmuar trajnerit se është i vlefshëm.

Ndaj Real Madridit asgjë nuk përfundon pa dhënë shenjë arbitri. Kjo u konfirmua sërish. Kampioni aktual ishte në epërsi në këtë ndeshje për vetëm 90 sekonda. Mjaftueshëm.

Marrë për bazë formën, Cityt i duhet mrekulli për ta arritur kualifikimin. Por në “Bernabeu” festa sërish pritet të jetë për madrilenët. Këtë herë bashkë me tifozët.

City natyrisht është ende në lojë, por ndeshja e së martës, si i gjithë edicioni, është dëshmi që një epokë po përfundon dhe duhen ndryshime të shumta.

Edersoni, që kishte sigurinë e plotë në portë për shumë vjet, tani duket shumë i cenueshëm. Kevin De Bryne, tani 33-vjeçar dhe Bernardo Silva, 30-vjeçar, u dominuan nga kundërshtarët nga Madridi. John Stones u mundua të vepronte në mbrojtje, por Reali kërcënon në anë të shumta me Kylian Mbappen, Viniciusin dhe Rodrygon. Bellinghami është gjithnjë i gatshëm për të shtuar kërcënim dhe kjo u vërtetua në fund.