Te Real Madridi nuk e kanë pritur lehtë humbjen nga Lille në Ligën e Kampionëve. Dhe madrilenët vështirë se do ta pranonin dështimin e dytë rresht.
Pikërisht ky është synimi i Villarrealit, që takohet me madrilenët të shtunën nga ora 21:00 në “Santiago Bernabeu”.
Ndeshja Real Madrid – Villarreal i takon xhiros së nëntë të La Ligas.
Pas xhiros së tetë Madridi është i dyti me 18 pikë, tri më pak se Barcelona.
Villarreali është menjëherë në pozitën e tretë me 17 pikë. Kështu që skuadrën e Carlo Ancelottit e pret ndeshje shumë e vështirë.
Reali kishte lëshuar pikë edhe në ndeshjen e fundit në La Liga, duke barazuar 1:1 me Atletico Madridin.
Villarreali ishte shkatërruar 5:1 nga Barcelona më 22 nëntor. Reagoi duke fituar 2:1 ndaj Espanyolit dhe 3:1 ndaj Las Palmasit.
Barcelona luan të dielën nga ora 16:15. Është mysafire e Alavesit. Alavesi është në mesin e tabelës me 10 pikë. Megjithatë çdo rezultat tjetër pos fitores do të ishte dështim për skuadrën e Hansi Flick.
Barça në fakt synon të kthehet te fitorja në La Liga. Në xhiron e kaluar u mposht 4:2 nga Osasuna. Në mesjavë fitoi 5:0 ndaj Young Boysit në Ligën e Kampionëve.
Atletico Madridi luan në udhëtim ndaj Real Sociedadit në ndeshjen e fundit të xhiros, të dielën nga ora 21:00.