Futboll

Real Madridi e Bayerni premtojnë spektakël tjetër në “Bernabeu”

Real Madrid

Carlo Ancelotti thotë se Real Madridi duhet të luajë me intensitet të lartë nëse dëshiron të mbajë gjallë shpresat për titullin e 15-të evropian. Të mërkurën prej orës 21:00 në “Santiago Bernabeu” , Real Madridi takohet me Bayern Muenchenin në gjysmëfinalen e dytë të Ligës së Kampionëve. Sfida është plotësisht e hapur pas barazimit 2:2 në ndeshjen e parë në “Allianz Arena”.

Në Munih ishin 75 mijë shikues, ndërsa madrilenët tani presin përkrahje të zjarrtë nga tribunat për të kaluar gjigantin bavarez.

Real Madridi të shtunën siguroi titullin në La Liga, katër xhiro para fundit. Madrilenët fituan 3:0 ndaj Cadizit, ndërsa titullin e siguruan pas fitores 4:2 të Gironas ndaj Barcelonës.

Suksesi megjithatë nuk ka ndaluar Ancelottin që të jetë kritik ndaj paraqitjes së javës së kaluar në Munih, përkundër barazimit 2:2.

Ancelotti ua ka tërhequr vërejtjen lojtarëve se me një paraqitje tjetër të zbehtë paraqitja në finalen e 1 qershorit do të jetë vetëm ëndërr.

“Na duhet një lojë me intensitet, me ritëm. Duke shikuar ndeshjen e parë mund të them që në aspektin defanziv kemi mundur të bëjmë shumë më tepër”, ka thënë Ancelotti në konferencë për shtyp, të martën.

Bayer Leverkuseni i ka dhënë fund dominimit 11-vjeçar të Bayernit në Bundesligë duke siguruar titullin shumë javë më parë. Por Ancelotti ka thënë se kjo vetëm do të motivojë Bayernin, që po e kërkon titullin e shtatë evropian.

“Jemi klube të ngjajshme, pasi bayerni po ashtu ka histori të madhe dhe shumë sukses. Duhet të respektojmë kundërshtarin tonë, pasi është paraqitur shumë mirë dhe ishte më i mirë se ne në ndeshjen e parë. Jemi të entuziazmuar pasi mund të jetë një tjetër natë magjike për ne, por nuk ka optimizëm të tepruar. Jemi të vetëdijshëm se sa vështirë do të jetë”, ka shtuar Ancelotti.

Mbrojtësi Dani Carvajal, që tashmë ka fituar pesë herë Championsin me “Los Blancos” beson se skuadra po mbushet me besim pasi kaloi 42 ndeshje pa humbje, pa llogaritur kohën shtesë.

Ai tha në shaka se Ancelotti po “bëhej gjithnjë e  më i frikësuar”, por vlerësoi rolin e trajnerit në mbajtjen e lojtarëve të fokusuar.

“Ka eufori pasi po kalojmë një vit të mrekullueshëm”, ka thënë Carvajal.

Kjo nuk mund të thuhet për Bayernin, që tashmë ka humbur dy garat vendore. Bayerni do të jetë me trajner të ri në verë, por Thomas Tuchel është i përkushtuar që të largohet si kampion evropian.

“Është një prej stadiumeve më të vështira për të fituar, por nuk është e pamundur. Në ndeshjen e parë kemi pasur një pjesë të parë shumë të mirë, por për fat të keq nuk kemi fituar. Pasi tani luajmë në Madrid, ndoshta është 51 për qind për Realin. Qartë se është njëri prej klubeve më të mëdha në botë. Ne po ashtu jemi klub i madh në Evropë. Për këtë është ndeshje e madhe. Jemi në gjysmëfinale dhe po kërkojmë finalen. Nesër luajmë për të arritur në ‘Wembley’ dhe për asgjë tjetër”, ka thënë Tuchel në konferencë për shtyp.

Ai ka thënë se lojtarët janë të përkushtuar për të bërë hapin e duhur drejt finales. Tuchel pret ndeshje me faza të ndryshme. Është i vetëdijshëm që të dy skuadrat do të kenë momente kur do të vuajnë.

“Të dy ekipet janë shumë të forta në mbajtjen e topit. Në tranzicionin e shpejtë po ashtu.  Mendoj se do të jetë ndeshje shumë komplekske me faza të ndryshme. Në fazën kur ke momentin, të duhet fati dhe që të jesh efikas”, ka theksuar Tuchel.

Bayerni kishte telashe në mbrojtje në ndeshjen e parë. Tuchel ka paralajmëruar se Eric Dier dhe Matthijs de Ligt do të paraqiten në qendër të mbrojtjes. Ai ka folur në superlativ për yllin gjerman të Real Madridit, Toni Kross, ndërsa ka lavdëruar edhe sulmuesin kryesor të Bayernit, Harry Kane.