Futboll

Reagimi i ashpër i Dajakut pasi Gattuso e nxori nga loja

Leon Dajaku

Sulmuesi 23-vjeçar, Leon Dajaku, është kthyer në planet e Hajdukut të Splitit, pasi në fillim të edicionit nuk llogaritej fare nga trajneri Gennaro Gattuso. Të dielën ai startoi ndaj Slaven Belupos, të cilën ndeshje të kampionatit kroat, Hajduku e fitoi 2:0.

Por Dajaku kishte paraqitje dëshpëruese dhe trajneri i njohur italian e zëvendësoi në minutën e 56-të.
Pasi doli nga fusha, futbollisti kosovar reagoi ashpër. Ndonëse po përkrahej nga anëtarët e stafit, ai hodhi shishen fuqishëm në drejtim të ulëseve në bankinë. Ky moment u paraqit në transmetim televiziv dhe u përcoll nga të gjitha mediat e mëdha në Kroaci.

“Nuk e di pse Dajaku është nervoz, por nëse është nervoz me veten e tij atëherë ky është reagim që secili nga ne e ka kur del nga loja. Në terren nuk tregoi asgjë, statistikat i ka dëshpëruese. Gjithsesi do të ketë një bisedë të lehtë me trajnerin”, ka thënë Joshko Jeliçiq, analisti i njohur i kampionatit kroat.

Dajaku i kishte 22 kontakte me top. Humbi dy duele, kishte dy driblingje të pasuksesshme, një krosim të pasuksesshëm dhe një pasim të gjatë të pasuksesshëm.

Dajaku i ka pesë paraqitje këtë edicion, ndërsa ka kontribuuar me një asistim.

Hajduku i Splitit, që njihet për përkrahjen shumë të madhe nga tifozët “Torcida”, është lider në kampionatin kroat me 24 pikë. Rijeka dhe Dinamo Zagrebi i kanë nga 20.

VIDEO: