Futboll

Rasti i Zenelit nuk është risi, Kosovës vazhdojnë t’i ikin lojtarët

Besfort Zeneli me fanellën e Kosovës U21

Besfort Zeneli me fanellën e Kosovës U21

Në vend se të luajë për Kosovën, Besfort Zeneli ka vendosur ta presë Suedinë. Është ky një skenar i njohur, që ndodhi edhe me lojtarë të tjerë.

Një numër i futbollistëve pasi kanë luajtur për Kosovën U21 dhe kanë shënuar ngritje në karrierë kanë vendosur për përfaqësuese të tjera. Dhe kjo ka dy anët e tregimit: Kosova nuk është në gjendje të mbajë të gjithë futbollistët, dhe ende një pjesë e konsiderueshme e futbollistëve nga Kosova apo me rrënjë nga Kosova e shohin Përfaqësuesen “dardane” si opsion të dytë.

Që në vitin 2021, Besfort Zeneli në një intervistë për KOHËN kishte shprehur interesim që të luante për Kosovën, ndërsa deklaronte se ka refuzuar mundësinë që të luajë për të rinjtë e Suedisë. Në shtator të vitit 2022 ai u ftua nga Kosova U21 për një kamp në Turqi. U ftua më pas në mars të vitit 2023 për miqësore, kur edhe debutoi zyrtarisht. Luajti më pas në katër ndeshje kualifikuese për Evropian me Kosovën U21.

Sipas FFK-së, plani ishte që Besfort Zeneli tani të ftohej nga Kosova A për ndeshjet e shtatorit. Por ai ka vendosur të presë ftesë nga Suedia.

21-vjeçari luan në qendër të mesfushës. Gjatë verës ka shkëlqyer tek ekipi suedez, Elfsborg, ku luan edhe Arbër Zeneli. Arbëri është vëllai i madh i Besfortit, që për kohë të gjatë luajti për Kosovën. Ka kohë që nuk ftohet, ndërsa për ndeshjet e këtij muaji, sipas FFK-së, është në listën rezervë.

Ndërkohë Besforti e ka bërë më konkret vendimin e tij që të jetë në dispozicion të Suedisë, vendit ku është zhvilluar.

“Është Suedia që llogaritet. Unë jam përzgjedhur nga Kosova, por e kam refuzuar”, ka thënë Besfort Zeneli për “Sportbladet”.

“Tani varet nga unë që të kujdesem që të luaj aq mirë sa të përzgjidhem nga ekipi përfaqësues i Suedisë për të ardhmen”, ka shtuar Zeneli.

Për Besfort Zenelin të martën foli edhe Stefan Petterson, menaxher i ekipit nacional të Suedisë. Ai ka thënë se Besforti do të ftohej nga U21 e Suedisë nëse nuk do të ishte paraqitur për Kosovën. Pra, ka lënë të kuptohet se Suedia nuk e konsideron aktualisht Besfortin për Përfaqësuesen A.

“Daniel Barkcstrom, trajneri ynë i ekipit U21, ka folur me Besfort Zenelin. Nëse ai nuk do të kishte luajtur në kualifikime me Kosovën U21, ai do të përzgjidhej për ekipin tonë nacional U21 tashmë. Por nuk lejohet paraqitja për dy përfaqësuese në garën e njëjtë. Të gjithë e kanë parë se sa i mirë ishte Zeneli së fundi. Ai do të zinte vend në ekipin tonë U21”, ka thënë Petersson.

Mediumi suedez ka shkruar se ndryshimi i përfaqësueses tani do të procedohet në FIFA. Pasi Zeneli nuk ka luajtur ndeshje zyrtare me Kosovën A, nuk ka pengesë që ai të kalojë te Suedia.

“Ndihem mirë që mora vendimin. Suedia është më e drejtë për mua”, ka thënë Besfort Zeneli.

Ai ka konfirmuar bisedën me selektorin e U21 të Suedisë. Ka thënë se biseda ishte shumë korrekte.

Besforti e ka përkrahjen e familjes për vendimet që i merr, duke përfshirë të vëllanë, Arbërin.

Lidhur me Besfort Zenelin të hënën u fol në konferencën për shtyp të Përfaqësueses së Kosovës. Bajram Shala, menaxher i Përfaqësueses, tha se ai ka mbajtur kontakte me Besfortin, Arbërin dhe familjen Zeneli.

“Besforti e ka pasur ftesën e selektorit për këtë kamp. Ai ka vendosur të mos jetë pjesë e kampit për këtë ndeshje. Ne do të bisedojmë prapë me Besfortin dhe me familjen e tij. Por për këtë ndeshje Besforti ka vendosur të mos jetë pjesë e ekipit”, ka thënë Shala.

Jo rrallë është drejtuar gishti edhe nga FFK-ja për lojtarët që kanë ikur nga Kosova. Trajtimi nuk ka qenë gjithnjë i duhuri për të gjithë lojtarët. Dhe kjo kishte kosto, ndër të tjera, me ikjen e lojtarëve drejt përfaqësueseve të tjera.

Rast i ngjashëm me atë të Besfort Zenelit ishte ai i mbrojtësit Edvin Kurtulushi. Ai luajti 12 ndeshje për Kosovën U21 mes viteve 2020 e 2022. Madje ishte kapiten i Shpresave të Kosovës në gjashtë ndeshje. I rritur në Suedi, Kurtulushi më pas vendosi të luajë për Suedinë në nivelin senior. Është ftuar për 13 ndeshje, ndërsa ka luajtur në katër prej tyre, së fundi në qershor të vitit të kaluar.

Kurtulushi tani luan për Ludogoretsin në Bullgari.

Te Kosova U21 ishte edhe Medon Berisha, që tani luan për Shqipërinë. Ai ishte i ftuar edhe për “Euro 2024”. Adrion Pajaziti është lojtari tjetër që la Kosovën U21 për Shqipërinë U21.

Më herët ka pasur shumë raste kur lojtarët janë larguar nga Kosova për të luajtur për Shqipërinë. Ardian Ismajli, Mirlind Daku, Arbnor Muja janë disa prej lojtarëve që kanë bërë lëvizje të tillë. Dhe për të gjithë këta shpesh është fajësuar FFK-ja.

Por shumë lojtarë ende e shohin Kosovën vetëm si opsion rezervë. Madje e shfrytëzojnë atë për të bërë presion në përfaqësuese të tjera, apo si trampolinë drejt përfaqësueseve të tjera. Një pjesë e lojtarëve bashkohen me Kosovën vetëm pasi nuk marrin ftesë nga përfaqësueset e vendeve ku janë rritur.

Së fundi Kosovës iu bashkua Elvis Rexhbeçaj. Ai në shumë raste në të kaluarën ka thënë se paraqitja për Gjermaninë do të ishte ëndërr e realizuar. Por Gjermania nuk e ftoi asnjëherë. Dhe në moshën 26-vjeçare mesfushori vendosi t’i bashkohej Kosovës.

Portieri i Ajaxit, Diant Ramaj, ka deklaruar vazhdimisht se po e pret Gjermaninë, duke refuzuar kështu ofertën për të luajtur për Kosovën. Ai ka luajtur për Gjermaninë U20, por aktualisht 22-vjeçari nuk llogaritet pranë përfaqësueses gjermane.

Mërgim Berisha, po ashtu, ka refuzuar ofertën për të luajtur për Kosovën. Sulmuesi ka luajtur dy miqësore për Gjermaninë dhe ende e ka të drejtën e paraqitjes për Kosovën. Por nuk po shfaq interesim.

Herë për shkak të qëndrimit të lojtarëve dhe familjeve të tyre e herë për shkak të qasjes së FFK-së, Kosovës vazhdojnë t’i ikin lojtarët.