Pas fitores së madhe ndaj Werder Bremenit në miqësoren që u zhvillua të shtunën, e diela ishte pushim për skuadrën e Lecces. Por jo edhe për Ylber Ramadanin dhe Medon Berishën, që i janë bashkuar ekipit në Neustift të Austrisë më vonë se pjesa tjetër e ekipit.
Ramadani dhe Berisha ishin të ftuar nga Shqipëria për Kampionatin Evropian që u mbajt në Gjermani. Ramadani pati mundësinë e paraqitjes në të tria ndeshjet. Kompletoi ndeshjet në disfatën nga Italia, 2:1, dhe Spanja, 1:0, ndërsa për 85 minuta luajti kundër Kroacisë në barazimin 2:2. Ndërkohë, Berisha luajti 20 minuta në ndeshjen ndaj Spanjës.
“Pushimet kanë shkuar mirë. Jam kthyer me ekipin dhe tani nis një punë e re. Shpresojmë të kemi sezon të mirë”, ka thënë Ramadani të dielën për faqen zyrtare të skuadrës së Serie A.
Ramadani foli për paraqitjen e tij të parë në Evropian. Ka thënë se e ka pasur përkrahjen e madhe nga tifozët e Lecces edhe në Gjermani.
“Kam qenë në Kampionatin Evropian dhe të gjithë njerëzit nga Lecce më kanë shkruar dhe më kanë përkrahur. Ka qenë me të vërtetë gjë shumë e mirë për mua. Kemi luajti mirë në Kampionatin Evropian, por nuk kemi mundur të bënim më shumë”, ka theksuar Ramadani.
Ramadani 28-vjeçar dhe Berisha 20-vjeçar, janë dy mesfushorë që vlerësohen shumë nga Lecce.
Për Ramadanin është edicioni i dytë me Leccen. Ai u transferua nga Aberdeeni skocez në verën e vitit të kaluar. Karrierë ka bërë edhe te MTK Budapesti, Vejle, Partizani, Drita, Prishtina dhe Ferizaj. Ndërkohë Berisha u zhvillua te të rinjtë e Young Boysit, kurse Lecces U19 iu bashkua më 1 korrik të vitit 2022.
“Për mua është përgjegjësi sepse e di mentalitetin e njerëzve këtu dhe çfarë kërkojnë nga ne këtë edicion. Shpresojmë që të bëjmë gjëra të mëdha. Tifozët na japin përkrahje të jashtëzakonshme në shtëpi dhe në ndeshjet në udhëtim. Dëshirojmë që të shkruajmë historinë me një tjetër sezon në Serie A, me sa më shumë fitore”, ka deklaruar Ramadani.
Ramadani ka folur edhe për rritjen që e pati Berisha. Berisha në edicionin e kaluar pati shtatë paraqitje gjithsej. Dukshëm më shumë kishte Ramadani, 36. E pati edhe një gol të shënuar, atë në fitoren 2:1 ndaj Frosinones.
“Berisha është rritur shumë si lojtar. Ai pati paraqitje të mira. Është i ri, ka kualitete dhe shpresoj të rritet edhe më shumë”, theksoi Ramadani.
Ramadani pritet që të jetë edhe në edicionin e ri prej lojtarëve kryesorë te skuadra e Lecces, që drejtohet nga trajneri Luca Gotti.