Selektori i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka publikuar të premten emrat e lojtarëve në të cilët llogarit për ndeshjet me Lituaninë dhe Qipron.
Kosova do të jetë pa sulmuesin kryesor, Vedat Muriqi, që është i lënduar. Gjermani Foda ka kthyer Edon Zhegrovën, Aro Muriqin e Florent Muslijën që ishin larguar nga grumbullimi i kaluar për shkelje disiplinore. Bashkë me listën, FFK-ja të premten publikoi një letër të tre lojtarëve, në të cilën ata pranojnë gabimin dhe kërkojnë falje.
Ndërkohë emër i ri është portieri Amir Shaipi. Shaipi është me prejardhje nga Kosova dhe i lindur e i rritur në Zvicër. Ka luajtur për U21 të Zvicrës. Pasi që Zvicra A nuk e ka në planet e menjëhershme, përkatësisht është vetëm zgjedhja e pestë, Shaipi ka vendosur për Kosovën. Ai pritet të jetë konkurrencë e fortë e Aro Muriqit për portier të parë. Shaipi ka shumë kohë që është kontaktuar nga FFK-ja. Por deri më tani ka refuzuar të bashkohet me Kosovën.
Kosova më 12 tetor luan ndaj Lituanisë në Kaunas, ndërsa më 15 tetor e pret Qipron në Prishtinë. Ndeshjet i takojnë Ligës C të Ligës së Kombeve.
Në shtator, Kosova fillimisht pësoi 3:0 në “Fadil Vokrri” nga Rumania. Më pas fitoi 4:0 ndaj Qipros në Larnaca, ndonëse pa tre të larguarit dhe me atmosferë larg prej asaj që kërkohet në një ekip përfaqësues.
Ndaj Lituanisë dhe Qipros, “Dardanët” llogariten favoritë të mëdhenj. Lojtarët e Kosovës janë dukshëm më cilësorë se lojtarët e këtyre dy përfaqësueseve. Por shumë do të varet nga atmosfera në ekip dhe nga fakti se a do të lënë pasoja zhvillimet e muajit të kaluar. FFK-ja ka shkruar për “familje të bashkuar” dhe “angazhim të përbashkët për rregullat dhe vlerat që na udhëheqin”.
Mungesa e Vedat Muriqit do të jetë mundësi e artë për sulmuesit e tjerë. Në formë të lartë janë Astrit Selmani e Albion Rrahmani, dy sulmuesit tjerë të qendrës te Kosova. Ka shumë vjet që formacioni bazë i Kosovës as që mendohet pa Muriqin. Por për shkak të një lëndimi ai lëshon ndeshjet tetorit dhe Foda do të duhet të bazohet në të tjerë lojtarë. Në sulm ka konkurrencë të mjaftueshme, ndërsa shumë do të varet nga sistemi që do të zgjedhë Foda. Edon Zhegrova e Milot Rashica po ashtu janë në formë të lartë, ndërsa rastin e presin edhe Fisnik Asllani, Ermal Krasniqi, Florent Muslija, Emir Sahiti e Eliot Bujupi.
Si zakonisht, dukshëm më pak konkurrencë ka për pjesën qëndrore të mesfushës. Elvis Rexhbeçaj vlerësohet zgjedhje e parë, ndërsa në listë janë edhe Valon Berisha, që luan më i avancuar, e Lindon Emërllahu.
Në mbrojtje konkurrenca është e zakonshme. Kapiteni Amir Rrahmani është i pazëvendësueshëm e përkrah tij do të jetë Fidan Aliti, Lumbardh Dellova apo Ilir Krasniqi. Mërgim Vojvoda, Florent Hadërgjonaj, Leart Paqarada e Donat Rrudhani janë opsionet për mbrojtës krahu. Në mbrojtje është shtuar edhe Andi Hoti. Prej portierëve pos Muriqit e Shaipit është ftuar edhe Visar Bekaj, që megjithatë pritet të jetë vetëm opsioni i tretë.
Selektori Foda ka publikuar edhe një listë rezervë ku janë Ilir Avdyli, Mustafë Abdullahu, Lirim Kastrati, Muhamet Hyseni, Qëndrim Zyba, Bersant Celina, Art Smakaj, Altin Zeqiri, Mirlind Kryeziu, Arbër Zeneli, Drilon Hazrollaj e Muharrem Jashari. Ndonjëri prej tyre mund të ftohet nëse ka lëndime të lojtarëve të ftuar, apo nëse Foda vlerëson se konkurrenca në ndonjë repart nuk është e duhura.
Përfaqësuesja grumbullohet të hënën.

Muharrem Jashari në listën rezervë të Kosovës
Selektori Franco Foda ka publikuar edhe një listë rezervë të Kosovës për ndeshjet e tetorit. Pjesë e saj është edhe Muharrem Jashari, që po shkëlqen në Ukrainë.
Ilir Avdyli, Mustafë Abdullahu, Lirim Kastrati (mbrojtësi), Muhamet Hyseni, Qëndrim Zyba, Bersant Celina, Art Smakaj, Altin Zeqiri, Mirlind Kryezium, Arbër Zeneli e Drilon Hazrollaj janë po ashtu në listën rezervë, përkatësisht në listën e pritjes.
