Paris Saint-Germaini e mposhti Angersin 1:0 të shtunën, në ndeshjen e xhiros së 28-të dhe e fitoi titullin e 13-të në Ligue 1 të Francës, që është rekord.
PSG-ja nuk e ka humbur asnjë ndeshje sa i ka zhvilluar deri tani, ndërsa trofeut të çmuar iu gëzua në “Parkun e Princave”, gjashtë xhiro para fundit. Dhe me plot sukses u bë skuadra e parë kampione në top-ligat evropiane për këtë edicion.
PSG-së i kryente punë edhe një barazim, por sulmuesi Desire Doue e realizoi golin festiv në “Parc des Princes” për fitoren e 23-të të edicionit nga 28 ndeshje. PSG-ja ishte e pakonkurrencë edhe në statistika të tjera. I shënoi plot 80 gola, ndërsa i pranoi 26.
Ishte titulli i 11-të në kampionatin francez qëkur pronarët nga Katari e morën klubin në vitin 2011. Dy titujt e tjerë parisienët i kishin fituar në vitet 1986 dhe 1994.
Trajneri Luis Enrique u hodh në ajër nga stafi i trajnerëve dhe lojtarët e skuadrës pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit edhe kanë festuar në qendër të fushës.
“Tifozët janë shumë krenarë me ne, sepse ua dhuruam këtë titull”, ka thënë Luis Enrique. “Ky klub ka kaq shumë të arritura. Objektivet janë për të luajtur futboll atraktiv dhe për të fituar trofe”.
Më pas lojtarët dhe stafi i trajnerëve të Parisit e vazhduan festën me tifozët e zjarrtë të stadiumit.
“Përgjatë sezonit ky ekip ka treguar diçka”, ka thënë Luis Enrique. “Fakti se tifozët e tjerë të futbollit, që nuk janë tifozë të PSG-së, e pëlqejnë stilin tonë të lojës, tregon krenari të madhe për ne”.
PSG-ja mund ta sigurojë edhe një trofe tjetër vendor nën drejtimin e teknikut spanjoll Luis Enrique, nëse e mposhtin Reimsin në finalen e Kupës së Francës më 24 maj.
Saint-Etienne mbetet me dhjetë tituj në Francë, Marseille ka nëntë, ndërsa Monaco e Nantesi kanë nga tetë tituj.
Por vetëm Nantesi në edicionin 1994-95 e kishte fituar titullin pa e pësuar asnjë humbje. PSG-ja u bë skuadra e dytë në këtë statistikë, pasi iu gëzua suksesit me 74 pikë.
PSG-ja ka ambicie të mëdha edhe në kupat evropiane.
Edicioni dominues u bë më i lehtë për parisienët pasi kundërshtarët e tjerë në Francë nuk ishin në nivelin më të lartë. Marseille dhe Monaco nuk arritën që ta ndiqnin ritmin e PSG-së.
Tani vëmendja e PSG-së do të bartet në Ligën e Kampionëve, trofeun e së cilës garë nuk e ka fituar kurrë.
Kundërshtare në çerekfinale PSG-ja do ta ketë Aston Villan. Ndeshja e parë zhvillohet të mërkurën në Paris.
Marquinhos është i suspenduar për këtë ndeshje.
PSG-ja në një të tetën e finales së Championsit e eliminoi Liverpoolin.
Në qershor udhëton për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kupën e Botës për Klube.