Futboll

PSG-ja synon ta mbyllë sezonin pa humbje dhe me “tripletë”

PSg

Kampioni i elitës së futbollit francez, Paris Saint-Germaini, synon që ta mbyll sezonin pa humbje, por e ka vëmendjen në fitimin e “tripletës”.

Kështu ka thënë të enjten trajneri Luis Enrique, në prag të ndeshjes ndaj Nicet në kampionatin francez.

PSG – Nice luhet të premten nga ora 20:45.

PSG-ja ka 78 pikë në 30 ndeshje dhe e fitoi titullin e katërt rresht më herët gjatë këtij muaji.

Skuadra parisiene në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve luan të martën ndaj Arsenalit.

PSG-ja e trajnerit Luis Enrique më pas do ta ketë synimin për ta fituar Kupën e Francës, pasi në finale muajin e ardhshëm luan ndaj Reimsit.

“Rekordet nuk janë synimi ynë kryesor. Janë titujt. Nëse dikush më siguron se nëse humbim nga Nice, të shkojmë në finale të Ligës së Kampionëve, do ta nënshkruaja menjëherë. Por askush nuk mund të më sigurojë për këtë. Jemi ekip ambicioz dhe jemi në pozitë të mirë për ta përfunduar kampionatin pa humbje. Mendoj se e rëndësishme për ne është të luajmë ndaj Arsenalit duke e dhënë 100 për qind nga vetja”, ka deklaruar Luis Enrique.

PSG-ja mund të bëhet e vetmja skuadër në elitën e futbollit francez që e përfundon kampionatin pa humbje.

Pas Nicet, PSG-ja luan edhe me Strasbourgun, Montpellierin dhe Auxerren.