Futboll

Pse te Baseli duhet të brengosen për Shaqirin?

Xherdan Shaqiri

Baseli humbi pozitën e parë në tabelën e Superligës së Zvicrës pas barazimit me Luzernin. Me gjithë rastet e mira në pjesën e parë, skuadra e trajnerit Fabio Celestini nuk ia doli ta siguronte fitoren. Mungesa e Xherdan Shaqirit në pjesën e dytë kishte efekt të madh

Baseli e nisi fundjavën e kaluar si lider. Në skuadër do të dëshironin të ishin në vend të parë edhe të hënën kur filloi karnavali i Baselit. Por gjërat lëvizën ndryshe. Për shkak të barazimit me Luzernin dhe fitores së Servettes ndaj Zurichut, Baseli u detyrua t’i thoshte lamtumirë pozitës së parë, të paktën në këtë moment.

Është një pengesë e vogël në garën për kampion. Trajneri Fabio Celestini e ka vlerësuar pikën ndaj ish-skuadrës së tij.

“Nëse nuk mund ta fitoni një ndeshje, atëherë duhet të bëni çdo gjë për të mos e humbur atë”.

Qartë që Celestini ka drejtë për këtë. Por ekipi i tij duhet të marrë përgjegjësi për veten. Sidomos për rastet që nuk u shfrytëzuan në pjesën e parë.

“Është dashur të udhëheqim 2:0 apo 3:0 pas pjesës së parë”, thotë Dominik Schmid.

Pas pjesës së parë rezultati ishte vetëm 1:0. Kjo shkoi në favor të Luzernit. Për befasinë e të gjithëve, Celestini e la lojtarin më të mirë, Xherdan Shaqirin, në dhomën e zhveshjes gjatë pushimit. Kjo ndodhi për shkak të një problemi muskulor dhe që Shaqiri të pushojë muskujt.

Loja ishte ndryshe pas vazhdimit. Pak gjëra funksionuan për Baselin. Nuk kishte shanse të mira për shënim. Por Celestini nuk e pranon “arsyetimin Shaqiri”.

“Kemi fituar mjaftueshëm edhe pa të. Unë e largova nga fusha një herë dhe ne e lëshojmë fitoren. Herë të tjera, si javën e kaluar në Sion, kemi fituar edhe pas largimit të tij. Ky është futbolli”, thotë Celestini.

Por ai e di se sa shumë skuadra e Baselit varet nga Shaqiri.

Shifrat tregojnë se ka arsye për brengë. Në nëntë ndeshje kampionale, në të cilat 33-vjeçari dështoi të shënojë gol apo të asistojë, Baseli e ka shënuar vetëm një fitore. Kështu që te Baseli do të luten që kapiteni do të kthehet në fushë javën e ardhshme ndaj Young Boysit. Këtij ekipi i duhet Shaqiri që të kthehet sa më shpejt të jetë e mundur në rrugën drejt suksesit. Bilanci i pesë ndeshjeve të fundit, me vetëm një fitore, nuk është i mjaftueshëm për t’u bërë kampion.