Shumë mesazhe kanë dhënë ditëve të fundit futbollistët dhe selektori i Rumanisë, por edhe personalitete të futbollit nga ky vend. Porosia e të gjithëve është që ndeshja e Rumanisë me Kosovën të zhvillohet pa incidente në tribuna. Rumania e Kosova takohen të premten nga ora 20:45 në “Arena Nationala” në Bukuresht. Ndeshja vendos për vendin e parë në grup, në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Tri ndeshjet e kaluara mes Kosovës e Rumanisë, dy prej tyre në Prishtinë e një në Bukuresht, janë shoqëruar me incidente. Vitin e kaluar në Bukuresht ndeshja u ndërpre për 50 minuta, pasi tifozët rumunë shfaqën panon “Kosova është Serbi” dhe bënë thirrje të kësaj natyre. Lojtarët e Kosovës reaguan dhe ndeshja u ndërpre deri në heqjen e panos provokuese. UEFA më pas dënoi rëndë Federatën rumune, ndërsa ndau gjobë edhe për Federatën kosovare për shkak të incidenteve të shumta në ndeshjen e shtatorit në “Fadil Vokrri”, të cilën Rumania e fitoi 3:0. Ndër të tjera, në atë ndeshje u fishkëllye himni rumun, ndërsa pati sjellje të papranueshme ndaj lojtarëve të Rumanisë.
Qëllimi kryesor i Rumanisë është kualifikimi në Kupën e Botës 2026. Kualifikimet e rregullta nisin në mars të vitit të ardhshëm. Nëse të premten ka incidente të natyrës më të rëndë, përkatësisht pano apo thirrje “Kosova është Serbi”, atëherë Rumania rrezikon që të dënohet rëndë për ndeshjet kualifikuese të Botërorit. Zhvillimi i ndeshjeve kualifikuese pa praninë e shikuesve apo me stadium pjesërisht të mbyllur konsiderohet se godet gjasat e Rumanisë për kualifikim në Botëror. Ka të bëjë edhe aspekti financiar dhe rrjedhimisht futbollistët rumunë nuk po i ndalin thirrjet që ndeshja të kalojë pa incidente.
Të mërkurën për mediat foli portieri i Rumanisë, 37-vjeçari Florin Nita. Ai ka thënë se synojnë dy fitore, të premten me Kosovën e të hënën me Qipron.
“Vërtet dëshiroj që tifozët të jenë të balancuar, ashtu si jemi ne, të shfaqin karakter dhe mos të shfaqin banerë apo të bëjnë thirrje kundër tyre, pasi këtë e presin ata. Duhet të jemi shumë të mençur dhe ta fitojmë lojën në fushë, jo në tribuna”, ka thënë Nita, shkruan sajti zyrtar i Federatës rumune.
Më herët mesazh të njëjtë ka dhënë kapiteni Nicolae Stanciu.
“Para ndeshjes me Kosovën dua t’ju flas nga zemra, si lojtar që e di se sa e rëndësishme është përkrahja juaj. Jemi në një moment vendimtar për Rumaninë, moment në të cilin secili nga ne mund të kontribuojë për qëllimin e përbashkët – kualifikimin në Botëror. Në fushë ne do të japim më të mirën, por na duhet që ju të jeni po aq të fokusuar dhe përgjegjës në tribuna. Le të jemi të mençur, të mos lejojmë që incidente apo veprime të vënë hije mbi punën tonë e tuajën. Futbolli na bashkon dhe së bashku mund të jemi të suksesshëm”, ka thënë Stanciu.
Disa grupe të tifozëve që përkrahin Rumaninë kanë qëndrime të skajshme anti-Kosovë. Këtë e shprehin jo vetëm gjatë ndeshjeve të Rumanisë me Kosovën, por edhe në aktivitete tjera të tyre. Grupe tifozësh në Rumani, Sllovaki, Greqi, Poloni, Çeki e Rusi shpalosin shpesh flamurin e Serbisë mbi hartën e Kosovës. Ky flamur provokues është i papranueshëm nga UEFA.
Nga tifogrupi i Kosovës, “Dardanët”, për gazetën rumune GSP, kanë thënë se të premten do të jenë në Bukuresht.
“Po, do të jemi atje. Jo shumë, por anëtarët tanë do të jenë atje për Kosovën”, citon gazeta rumune tifogrupin e Kosovës.
Figura e njohur e futbollit rumun, Ilie Dumitrescu, ka propozuar që tifozët rumunë të duartrokasin himnin e Kosovës.
“Kjo do të jetë përgjigje për atë që bënë ata”, ka thënë Dumitrescu.
Rumania ka fituar katër ndeshjet e para në grup dhe udhëheq me 12 pikë. Kosova i ka nëntë pikë. Rrjedhimisht vendi i parë në grup vendoset në Bukuresht. Kosovës i duhet fitore më e thellë se 3:0 për ta kaluar Rumaninë në renditje. Në ndeshjet e fundit, Kosovë – Lituania dhe Rumani – Qipro, nuk pritet të ketë befasi.
Rumania nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe kur shorti për herë të parë vendosi në një grup dy përfaqësueset, në Rumani kishte edhe thirrje që të bojkotohen ndeshjet. Kjo në fakt as që ishte opsion, për shkak të dëmeve të mëdha që do të kishte Federata rumune dhe futbolli rumun në përgjithësi. Disa grupe tifozësh në Rumani kanë njoftuar se do ta bojkotojnë ndeshjen me Kosovën, për arsye të qëndrimeve të tyre politike.
Te Kosova nuk u kanë kushtuar shumë rëndësi zhvillimeve të mundshme në tribuna. Por, pritet reagim i menjëhershëm, nëse në tribuna shihet ndonjë baner me përmbajtje të papranueshme.