Futboll

Prishtina pa fitore në dhjetë ndeshje

PRishtina

Prishtinës nuk i ka mjaftuar ndaj Gjilanit autogoli i Senad Jaroviqit për t’i fituar pikët e plota të shtunën, në ndeshjen e xhiros së 25-të të Superligës së Kosovës në futboll. 

Prishtina ishte afër që ta fitonte trepikëshin e parë pas ecurisë negative prej nëntë ndeshjeve rresht pa fitore në elitë ku kishte tri humbje e gjashtë barazime. 

Por ishte goli i Marko Roganoviqit në minutat shtesë që ia siguroi një pikë Gjilanit, ndërsa Prishtina tani ka dhjetë ndeshje rresht në Superligë pa fitore. 

Ndeshja e zhvilluar në terrenin me bar sintetik në Gjilan u mbyll baras, 1:1. 

Gjilani mbetet në pozitën e katërt me 35 pikë pas këtij barazimi, dhe i është afruar shumë zonës që dërgon në kualifikimet e Ligës së Konferencës. 

Prishtina, Ferizaj dhe Dukagjini mbesin me nga 32 pikë. Në vendin e barazhit, përkatësisht të tetin, është Suhareka me 29 pikë. Llapi është i parafundit me 26, ndërsa në vendin e fundit është Feronikeli 74, me 13 pikë. 

Sulmuesi shtatlartë i Gjilanit, Jaroviq, ishte pranë portës pas një goditjeje nga këndi dhe e devijoi topin në portën e vet, në minutën e 23-të. 

Shifrat nuk ndryshuan deri në minutat shtesë, pavarësisht përpjekjeve të shumta nga të dyja skuadrat. 

Në minutën e dytë të kohës shtesë, mbrojtësi nga Mali i Zi, Marko Roganoviq, ishte në vendin dhe kohën e duhur për ta dërguar topin prapa shpinës së portierit Ardit Nika. 

Prishtina mbetet pa fitore në Superligë prej 1 dhjetorit, kur në udhëtim kishte fituar ndaj Dukagjinit. 

Prishtina është në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Më 9 dhe 23 prill do të ballafaqohet me Dritën. 

Gjysmëfinalja tjetër e Kupës së Kosovës është ajo mes Llapit dhe Drenicës.


Roganoviq e shpëton Gjilanin

Mbrojtësi Marko Roganoviq ka shënuar gol në minutën e 92-të për Gjilanin nga afërsia dhe i ka barazuar shifrat ndaj Prishtinës 1:1. 

Roganoviq shënoi me kokë, ndërsa goli nga gjyqtari Gramos Shala u pranua pas rishikimit të situatës në VAR.


Prishtina në epërsi pas pjesës së parë

Prishtina ka shkuar në pushimin e gjatë me epërsinë e një goli ndaj Gjilanit në ndeshjen që po luhet në terrenin me bar sintetik në Gjilan. 

Autogoli i qendërsulmuesit të Gjilanit, Senad Jaroviq, ishte i vetmi i shënuar në pjesën e parë. 

Ai realizoi gabimisht në portën e vet, në minutën e 23-të. 

Ndeshja i takon xhiros së 25-të të Superligës së Kosovës në futboll.


Prishtina shënon ndaj Gjilanit

Prishtina ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Gjilanit në minutën e 23-të. 

Prishtinasit janë duke e fituar ndeshjen e xhiros së 25-të me autogolin që e shënoi qendërsulmuesi i Gjilanit, Senad Jaroviq. 

Ky ballafaqim po luhet në terrenin me bar sintetik në Gjilan.