Kampionia e Kosovës në futsall, Prishtina 01, ka pësuar humbje të thellë të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet.
“Bardhekaltrit” u mposhtën 6:2 nga kroatët e MNK Olmissumit, në ndeshjen e parë të Grupit 2 të raundit kryesor të Ligës së Kampionëve.
Por skuadra e Prishtinës ende ka gjasa për të avancuar në “Elite Round”, ndonëse tani më të zbehta.
Nga secili prej katër grupeve të Rrugës A të “Main Round” të Championsit kualifikohen tre të parët e grupit.
Përveç Prishtinës 01, që është nikoqire e këtij grupi të “Championsit”, në Grupin 2 janë edhe Braga portugeze dhe Plzeni çek.
Braga fitoi në ndeshjen e parë ndaj Plzenit, 4:1.
Ndeshjen e ardhshme, Prishtina e luan të enjten nga ora 20:00 ndaj Plzenit. Nga ora 17:00, Olmissumi ballafaqohet me Bragan.
Ndërkohë xhiroja e fundit e këtij raundi kualifikues të Ligës së Kampionëve në futbollin e sallës luhet të shtunën. Prishtina në ndeshjen e tretë takohet me Bragan e Portugalisë nga ora 20:00.
Për skuadrën Prishtina 01 shënuan Jeton Rukovci dhe Drilon Maxharraj.
Ndërkohë, kroatët Duje Kustura e Josip Jurlina dhe slloveni Urosh Gjuriq shënuan për mysafirët nga Kroacia që e dominuan ndeshjen.
Prishtina 01 në fundin e vitit të kaluar ishte paraqitur edhe në raundin elitar të Ligës së Kampionëve, pasi e kishte kaluar me sukses “Main Round”.