Halim Selmanaj ishte shënues i golit të fundit në ndeshjen që Prishtina 01 dhe Plzen e luajtën të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet.
Me golin e Selmanajt pak sekonda para fundit, u mbyll baras 5:5 ndeshja e xhiros së dytë e fazës grupore të raundit kryesor të Ligës së Kampionëve në futsall.
Prishtina 01 me barazimin ndaj skuadrës çeke mbetet në vendin e fundit, me një pikë.
Një pikë e ka edhe Plzeni në pozitën e parafundit.
Grupit 2 i prijnë MNK Olmissum dhe Braga, me një fitore e një barazim, me nga katër pikë në total.
Pavarësisht barazimit, dy herë kampionia e Kosovës dhe fituesja e tri Kupave të Kosovës, ende ka gjasa për të avancuar në “Elite Round”.
Ndeshjen e fundit të Grupit 2 të kësaj faze kualifikuese, Prishtina 01 e luan të shtunën nga ora 20:00 ndaj Braga/AAUM-it të Portugalisë.
Ndaj Olmissumit, Prishtina 01 të mërkurën pësoi disfatë të thellë 6:2.
Kontribut të madh në barazimin e “bardhekaltërve” përveç Selmanajt që shënoi dy gola, dhanë edhe Lushi Qerimi, Drilon Maxharraj dhe Ylli Mazreku, të cilët realizuan nga dy gola.
Braga të enjten mbrëma barazoi 2:2 me kroatët e MNK Olmissumit.
Tri të parat nga secili prej katër grupeve të Rrugës A të “Main Round” të Championsit kualifikohen tre të parët e grupit.
Prishtina 01 në fundin e vitit të kaluar ishte paraqitur edhe në raundin elitar të Ligës së Kampionëve, pasi e kishte kaluar me sukses “Main Round”.
Në raundin elitar ishte ballafaquar me Benfican portugeze, Kairat Almatyn e Kazakistanit dhe Dobovecin e Sllovenisë në kuadër të Grupit B, por nuk kishte arritur të marrë rezultatet e dëshiruara.
Nga skuadrat kosovare në “Elite Round”, në 16-të ekipet më të mira të Championsit në futbollin e sallës, pjesëmarrës në edicionin 2016/17 ka qenë edhe Feniksi i Drenasit. Kjo skuadër e ka ndërprerë aktivitetin. Në raundin kryesor të Ligës së Kampionëve kanë marrë pjesë edhe Liburni, që po ashtu ka ndërprerë aktivitetin, Prishtina dhe Liqeni.