Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) të mërkurën ka publikuar një video të festës së lojtarëve të Kosovës dhe tifozëve pas fitores ndaj Qipros të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në videon e publikuar nga FFK-ja shihen vetëm momentet pozitive. Por në videot amatore që kanë qarkulluar gjatë ditës shihen edhe disa momente nervozizmi të shprehura nga kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani.
KOHA ka siguruar një nga videot që ka qarkulluar gjatë ditës ku shihet një diskutim mes kapitenit Rrahmani dhe kreut të “Dardanëve”, Lulzim Berisha.
Po ashtu, KOHA mëson se lojtarët ua kanë shprehur pakënaqësitë krerëve të Federatës për mënyrën e komunikimit të Berishës me Rrahmanin dhe me lojtarët e tjerë të Kosovës. Ka pretendime se Rrahmani dhe disa lojtarë janë ofenduar nga kreu i “Dardanëve”.
Por udhëheqësi i tifozëve të Kosovës ka mohuar pretendimet se ka sharë apo ofenduar Rrahmanin dhe lojtarët e tjerë.
“Nuk ka pasur asnjë diskutim tjetër përveçse të afrohet dhe t’i përshëndetë tifozët. Nuk kam pasur, jo me Amirin, por me askënd. Shihet qartë se ka qenë vetëm diskutim me kapitenin për të qenë afër njerëzve që bëjnë çmos për ta nga viti 2016. E di e gjithë Kosova e po ashtu edhe kapiteni jonë. Luli dhe ‘Dardanët’ janë për çdo lojtar që e djersit fanellën, sepse nuk kemi me askënd asgjë. Kemi dashuri për të gjithë lojtarët”, ka thënë Berisha për KOHËN të mërkurën.
Pas humbjes muajin e kaluar nga Rumania, “Dardanët”, por edhe shikuesit e tjerë të pranishëm në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri” kanë vërshëllyer dhe kanë brohoritur “marre, marre” e jashtë, jashtë” në drejtim të lojtarëve të Përfaqësueses së Kosovës.