Futboll

Presidenti i Lecces i gëzuar me rinovimin e Berishës

Medon Berisha

Skuadra e Lecces të premten njoftoi për vazhdimin e kontratës së Medon Berishës deri në vitin 2028.

Një ditë më pas, presidenti i klubit të Serie A, Sticchi Damiani, ka folur për rinovimin e kontratës së tij, por edhe të Patrick Dorgut.

“Është mesazh i qartë se klubi i sheh ata në projektet e të ardhmes. Talentet tona janë shpërblyer për shkak të procesit të rritjes së tyre. Ka qenë koha e duhur e veprimit nga drejtori Pantaleo Corvino, i cili rinovoi kontratat e tyre. Shpresoj se djemtë do të na shpaguajnë besimin me paraqitje edhe më të mira”, ka deklaruar presidenti i Lecces, Damiani, për “Quotidiano di Puglia” të shtunën.

Berisha luan si mesfushor qendror dhe është 20-vjeçar.

Me Leccen ka katër paraqitje në edicionin aktual, ndërsa me Shqipërinë nën drejtimin e Sylvinhos ka tri paraqitje.

Ai ka luajtur edhe për Shqipërinë U19 dhe U20, para se t’i bashkohej Kosovës U21.

Me “Shpresat e Kosovës” luajti në dy ndeshje, ndërsa më pas vazhdoi te “Shpresat e Shqipërisë”, ku i shënoi tri gola në 12 paraqitje.

Berisha si futbollist është zhvilluar te të rinjtë e Young Boysit në Zvicër.