Futboll

Portieri belg tërhiqet nga përfaqësuesja në shenjë proteste për kthimin e Courtois

Koen Casteels

Portieri i Belgjikës, Koen Casteels, është tërhequr nga përfaqësuesja në shenjë proteste pas kthimit në ekip të Thibaut Courtoisit.

Casteels ka qenë zgjedhje e parë në portë te Belgjika në 18 muajt e fundit, kurse Courtoisi refuzoi përfaqësuesen pas telasheve që kishte me përzgjedhësin Domenico Tedesco.

Federata e Futbollit e Belgjikës reagoi duke e emëruar Rudi Garcian si selektor të ri në muajin janar, ndërsa vetë ai ka thënë se Courtois i Real Madridit është i gatshëm të kthehet.

“Është e çuditshme që federata e futbollit është kthyer 180 shkallë dhe e ka shtruar tapetin e kuq, duke e mirëpritur atë me duar të hapura”, ka thënë Casteels për emisionin “MidMid” të dielën.

Casteelsi ishte portier i parë te Belgjika edhe në “Euro 2024” në Gjermani, ku Belgjika u eliminua në 1/8 e finales.

32-vjeçari Courtois, që ka 102 paraqitje me Belgjikën, vlerësohet njëri prej portierëve më të mirë në botë.

“Fillimisht mendoj se është e çuditshme që Courtois vendos për veten se kur do të kthehet. Nuk ka të bëjë me Thibaun, por me federatën e futbollit. Kjo nuk qëndron me standardet dhe vlerat e një ekipi apo organizate sportive. Nga sot, nuk do të jem pjesë e përfaqësueses”, shtoi Casteels. Në nivel klubesh, ai është pjesë e Al-Qadsiah në Arabi Saudite.