Nuk e ka gjetur fundin ndeshja ndërmjet ekipit shqiptar të futbollit Tërnoci dhe ekipit serb Mladost, që ishte e vlefshme për Ligën Rajonale të Pçinjës në Serbi.
Ndërprerja e ndeshjes në minutën e 88-të ishte e pazakontë dhe ndodhi kur rezultati ishte 2:1 në të mirë të nikoqirit, Mladosti. Ndeshja u ndërpre pas hyrjes në fushë të disa zyrtarëve policorë të Serbisë, njëri prej të cilëve raportohet se ka sulmuar fizikisht lojtarin e Tërnocit, Veton Zeqiri.
Lojtarët e Tërnocit, që është vendbanim i madh shqiptar në afërsi të Bujanocit, u përballën me kontroll dhe intervistim.
Në videot e publikuara nga klubi shqiptar i Luginës së Preshevës shihet kontrollimi i çantave të lojtarëve gjatë bastisjes. Çantat në zhveshtore u kontrolluan me pretekstin se lojtarët shqiptarë kishin me vete armë të ftohta. Gjatë kontrollit policët serbë dëgjohen duke folur me tone të larta.

Te klubi shqiptar kanë mohuar se lojtarët kanë pasur armë të ftohta me vete. Tërnoci ka nisur të dielën një ankesë në Federatën e Futbollit të Serbisë.
“Jemi ankuar në Federatën e Futbollit të Serbisë. Nuk ka ndodhur as në vitet e 90-ta. Përveç ndeshjes së tensionuar që e kemi pasur, jemi ndëshkuar me dy kartonë të kuq. Prej gabimit administrativ të tyre kanë ftuar policinë të futej në terren me arsyen se kemi në dhomat e zhveshjes mjete të ftohta. Nga aty ka filluar bastisja, janë marrë nga policia për deklarim. Ne nuk është që nuk udhëtojmë në territorin e Serbisë. Po duket që ka tendencë në shikim të parë. Po presim deklaratën e atyre”, ka thënë kryetari i klubit Tërnoci, Jusuf Hasani, për KOHËN të dielën.
“Ndeshja u ndërpre në minutën e 88-të. Zyrtarisht nuk është ndeshje e mbyllur. Një prej lojtarëve tanë është goditur nga policia. Nuk na kanë lejuar të jepnim deklaratë, por kur të kthehemi do të marrim raportin e mjekut dhe do të paraqitemi në Polici. Polici është identifikuar dhe do të paraqiten në stacionin policor. Do të kërkojmë sqarime shtesë”, ka shtuar Hasani.
Ai ka theksuar se hyrja e policisë në fushë u bë pas kërkesës së zyrtarit për siguri të klubit serb. Ndeshja u zhvillua të dielën në qytetin Bosilegrad.
“Hyrjen e policisë e ka ftuar zyrtari i sigurisë së klubit nikoqir. Ai nuk ka të drejtë të marrë vendime të tilla. Gjendja e lojtarit të lënduar është e mirë, ka gërvishtje në fytyrë nga policia. Do të ketë një kontroll në Spitalin e Bujanocit e më pas edhe në Polici”, thekson udhëheqësi i Tërnocit.
Ai ka theksuar se edhe më herët kanë hasur në telashe gjatë ndeshjeve në udhëtim. Por thotë se e kundërta është në Tërnoc.
“Në Tërnoc jemi ndoshta më të mirët për mikpritje. Ne udhëtojmë deri në regjionin e Nishit. Por në ndeshjet në shtëpi nuk ka ndodhur asnjë incident. Ne mundohemi t’i shmangemi çdo keqkuptimi”, është shprehur Hasani.
Klubi Tërnoci doli me një reagim. Ka treguar në kronologji gjithë atë që ndodhi të dielën. Ka publikuar edhe video të bëra gjatë kontrollit.
Me reagime kanë dalë edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, dhe kryetari i Këshillimit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.