Përzgjedhësi i U21 të Kosovës në futboll, Afrim Tovërlani, e ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet miqësore që në këtë muaj do të luhen në Turqi.
Kosova më 21 mars luan ndaj Turqisë, ndërsa më 25 mars ballafaqohet me Moldavinë.
“Në fakt, ekipi i drejtuar nga Tovërlani do të zhvillojë kamp stërvitor dhjetëditor në Antalya, nga data 17 deri më 26 mars, ku do t’i luajë edhe këto dy miqësore të rëndësishme. Ky kamp do të shërbejë si mundësi e mirë për stafin teknik që të analizojë gjendjen e ekipit dhe të testojë strategji të reja për ndeshjet e ardhshme kualifikuese”, ka shkruar Federata e Futbollit e Kosovës të shtunën.
Në portë janë ftuar Laurent Sheji, Erion Avdija dhe Eurolind Avdimetaj, ndërsa në mbrojtje janë Drini Miftari, Diar Vokrri, Leon Zeqiraj, Ledjan Sahitaj, Lendrit Shala, Julind Selmonaj, Argjend Miftari dhe Sead Ahmeti.
Në fazën e mesfushës e të sulmit janë përfshirë Hamza Muqaj, Arlind Maloku, Elvaris Suplja, Arjanit Fazlija, Adem Imeri, Leon Frokaj, Elvir Gashijani, Aulon Bytyqi, Laurent Xhylani, Igball Jashari, Hekuran Berisha, Kevin Krasniqi dhe Medin Gashi.
