Futboll

Përleshje pas ndeshjes Vëllaznimi - Gjilani, Policia nis hetimet

Përleshje pas ndeshjes Vëllaznimi - Gjilani

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për incidentin që ka ndodhur pas ndeshjes për Kupë të Kosovës në mes të Vëllaznimit të Gjakovës dhe Gjilanit. 

Në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, ku vendës ishte Vëllaznimi, pasi stadiumi i tij në Gjakovë nuk është gati, janë përfshirë lojtarët e ekipit gjakovar, ata të Gjilanit dhe disa tifozë. Vëllaznimi fitoi 2:1 dhe avancoi në çerekfinale të Kupës.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka theksuar se nga incidenti në Malishevë nuk është raportuar për të lënduar. 

“Pas përfundimit të ndeshjes së futbollit mes Vëllaznimit dhe Gjilanit, e luajtur në Malishevë, disa lojtarë të këtyre dy ekipeve dhe disa tifozë janë përfshirë në një përleshje mes tyre. Nuk është raportuar për të lënduar. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast për hetim për prishje të rendit dhe qetësisë publike”, ka thënë Elezaj për KOHËN.

Në videon 24-sekondëshe të cilën KOHA e ka siguruar, shihen lojtarët e Vëllaznimit të grumbulluar në afërsi të hyrjeve të stadiumit në Malishevë. Dëgjohen edhe fyerje nga disa tifozë gjakovarë. Disa lojtarë të Vëllaznimit shihen duke u munduar t’i qetësonin shikuesit e tyre. 

Gjilani nuk ka reaguar në lidhje me incidentin. Për incidentin nuk ka reaguar as nikoqiri Vëllaznimi e as Federata e Futbollit e Kosovës.

Vjet kishte shumë raste të dhunës në futbollin kosovar. Kishte ndodhur një incident në ndeshjen Vëllaznimi – Liria, ku ishte raportuar për përleshje mes lojtarëve. 

Ndeshja e 8 shtatorit në mes të Deçanit dhe Prizrenit ishte ndërprerë pak para fundit, pas përleshjes mes lojtarëve në fushë e po ashtu sulmit fizik ndaj lojtarëve mysafirë nga tifozët vendës. 

Edhe në ndeshjen në mes të Fushë Kosovës dhe Vushtrrisë kishte pasur dhunë mes tifozërive. Ishin shfaqur edhe thika.

Kishte rrahje masive edhe në ndeshjen e juniorëve mes Fushës Kosovës dhe Gjilanit.