Futboll

Periudha “Pollozhani” te Ballkani nis me derbin ndaj Prishtinës

Ballkani

Trajneri Ilir Daja me Ballkanin pati sukseset më të mëdha në historinë e futbollit të Kosovës në nivel klubesh. E fitoi titullin në tri edicionet e fundit, ndërsa dy herë rresht, Ballkani ishte pjesëmarrës në fazën grupore të Ligës së Konferencës.

Këto suksese, pos titullit të fundit, i kishte përjetuar edhe Artim Pollozhani, që ishte asistent i Dajës. Pollozhani u largua nga Ballkani më 4 mars të këtij viti, për t’u bërë më pas drejtor sportiv te Flamurtari i Vlorës.

Më 9 shtator, Pollozhani u kthye në Suharekë. Por tani me detyrë të re dhe me përgjegjësi dukshëm më të mëdha.

“Mirë se u ktheve në shtëpinë tënde, Artim Pollozhani. Është nder dhe kënaqësi e madhe që të kemi si kryetrajner të ri të Ballkanit. Përvoja dhe njohuritë e tua për klubin tonë janë vlerë e shtuar, ku së bashku synojmë të ecim edhe më shumë drejt qëllimeve tona”, ka shkruar Ballkani në faqen zyrtare.

Periudha e Ballkanit me Pollozhanin kryetrajner nis të shtunën.

Ballkani e pret Prishtinën në Suharekë, nga ora 15:00, në ndeshjen që i takon xhiros së pestë të Superligës së Kosovës.

Ballkani me Dajën në krye, në nisje të kampionatit pati dy fitore, kundër Dukagjinit e Feronikelit 74, dhe një barazim me Gjilanin në udhëtim. Në xhiron e fundit, para pushimit, për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve, humbi 3:2 nga Malisheva. Daja dha dorëheqje pas asaj ndeshjeje, kurse e la Ballkanin në vendin e parë në tabelë.

Katër skuadra janë me nga shtatë pikë. Ballkani ka katër ndeshje të luajtura. Me nga tri ndeshje e me shtatë pikë janë Prishtina, Suhareka dhe Malisheva. Këto skuadra nuk kanë luajtur ndaj Dritës për shkak të paraqitjes së gjilanasve në kualifikimet e Ligës së Konferencës.

Për Almir Kryeziun, sulmuesin këmbëshpejtë të suharekasve, pushimi ka qenë i mirëseardhur. Ai ka lavdëruar punën me trajnerin Pollozhani, ndërsa pret fitore ndaj Prishtinës.

“Kemi punuar me të shumë dhe gjithçka ka shkuar shumë mirë gjatë kësaj jave. E kemi përgatitur ndeshjen mirë dhe jemi të gatshëm maksimalisht për këtë derbi”, ka thënë të premten për KOHËN sulmuesi i krahut, Kryeziu.

“Bardhekaltrit” e kryeqytetit nuk kanë humbje në këtë fillim të kampionatit. E nisën me barazim ndaj Suharekës, ndërsa mposhtën Ferizajn e Llapin.

Tjetër trepikësh, mesfushori i talentuar, Albin Krasniqi, pret ndaj suharekasve.

“Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, pasi kemi pasur kohë të mjaftueshme për t’u stërvitur. Shpresojmë shumë që të jemi në ditën tonë më të mirë dhe të marrim maksimumin nga kjo ndeshje. Normalisht, ballafaqimet me Ballkanin janë gjithmonë të forta pasi është kampion në fuqi dhe besoj se do të jetë ndeshje interesante”, është shprehur Krasniqi.

Ndeshja tjetër e së shtunës do të jetë ajo mes Ferizajt dhe Suharekës.

Llapi – Drita do të jetë derbi i së dielës, ndërsa Dukagjini takohet me Malishevën. Xhiroja mbyllet të hënën me ndeshjen Gjilani – Feronikeli 74.

Superliga – V

E shtunë (15:00)

Ferizaj – Suhareka

Ballkani – Prishtina

E diel (15:00)

Llapi – Drita

Dukagjini – Malisheva

E hënë (15:00)

Gjilani – Feronikeli 74