Futboll

Përfaqësuesja kompleton përgatitjet në Kosovë, të enjten udhëtimi për në Bukuresht

Kosova

Të mërkurën paradite përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka zhvilluar stërvitjen e radhës në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Ishte kjo përgatitja e fundit në vend para ndeshjes vendimtare me Rumaninë, që zhvillohet të premten mbrëma në Bukuresht.

Të enjten në mesditë, përfaqësuesja udhëton për në kryeqendrën rumune, ndërsa në stadiumin ku zhvillohet ndeshja do ta ketë një stërvitje në orët e mbrëmjes.

Sipas FFK-së, atmosfera në përfaqësuese është shumë e mirë. Kosova përballet me mungesa të shumta e të rëndësishme, ndërsa ata që janë në dispozicion kanë premtuar angazhim maksimal për fitore.

Kosovës i duhet fitorja e thellë me synim për ta kaluar Rumaninë në renditje, përkatësisht për ta fituar grupin. Kjo nuk vlerësohet e lehtë.

Muharrem Jashari tashmë është kandidat i fortë për vend në mesfushë. Në muajin e kaluar ai i luajti ndeshjet e para kualifikuese dhe u paraqit mirë. Por, Rumania është nivel krejt tjetër në krahasim me Qipron e Lituaninë, ndaj të cilave fitoi Kosova.

“Atmosfera është shumë e mirë. Energjia po ashtu, ka pozitivitet te të gjithë lojtarët. Përgatitjet po shkojnë shumë mirë dhe besoj shumë se në Bukuresht do të shënojmë fitore. Jemi duke u përgatitur maksimalisht në aspektin taktik dhe po i shikojmë pikat e forta dhe të dobëta të Rumanisë. Do të ballafaqohemi me ekipin shumë të mirë rumun, por besoj shumë se do të arrijmë fitore”, ka thënë mesfushori Jashari.

Për vend në mesfushë konkurrojnë edhe Valon Berisha, Elvis Rexhbeçaj e Lindon Emërllahu. Mesfusha për kohë të gjatë ishte repart i ndjeshëm i Kosovës, por selektori Franco Foda është i lumtur me opsionet që i ka tashmë.

Emërllahu po ashtu shpreson në minuta.

“Atmosfera është shumë e mirë në ekip. Po përgatitemi mirë për ndeshje. Të gjithë e dimë rëndësinë e ndeshjes. Do të futemi në lojë vetëm për tri pikë. Rumania ka ekip të mirë dhe është në vendin e parë. Nuk kemi frikë nga askush. Do të hyjmë vetëm për fitore”, ka theksuar futbollisti i Ballkanit të Suharekës.

Sipas njoftimit të FFK-së, stërvitja e së mërkurës ishte e fokusuar në aspektin taktik të ndeshjes. Në aspektin taktik, por edhe në të gjitha aspektet e tjera të lojës, Kosova duhet të jetë dukshëm më e mirë se në ndeshjen e shtatorit në Prishtinë, të cilën e humbi 3:0. Ai rezultat e favorizon shumë Rumaninë në garën për vendin e parë në Grupin B2 të Ligës së Kombeve. Por te Kosova vazhdojnë të shprehen optimistë.