Futboll

Përfaqësuesja fokusohet në taktikë, mungon Muriq

Kosova

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka vazhduar me përgatitje taktike, të mërkurën në Kampin Nacional në Hajvali. Sërish mungoi portieri Arijanet Muriq. Por lajmi i mirë për selektorin Franco Foda është kthimi i Leart Paqaradës, ndonëse ai ka stërvitur pjesërisht. 

Siç njofton Federata e Futbollit e Kosovës, portieri i Ipswich Townit në Premier League të Anglisë, Muriq, ka lëndim të lehtë. Në rast se Muriq nuk e sanon lëndimin, vendin e tij pritet ta zërë Amir Shaipi, për të cilin do të ishte debutim. Shaipi është portier i Luganos në Superligën e Zvicrës. 

Lëndim kishte edhe mbrojtësi i Koelnit në Bundesliga 2 të Gjermanisë, Paqarada, por që është kthyer të mërkurën me pjesën tjetër të ekipit. 

“Përzgjedhësi Franco Foda në këtë seancë është përqendruar në aspektet taktike, të cilat synon t’i zbatojë në këtë ndeshje. Aro Muriq, për shkak të një lëndimi të lehtë, sërish nuk është përfshirë në stërvitje, ndërsa Leart Paqarada ka marrë pjesë vetëm në pjesën e parë të stërvitjes dhe më pas ka vazhduar me ushtrime më të lehta nën kujdesin e trajnerit të fitnesit”, ka shkruar ndër të tjera FFK-ja në sajtin zyrtar. 

Kosova të shtunën nga ora 15:00 në Kaunas e zhvillon ndeshjen e tretë të Ligës C2 ndaj Lituanisë. Pas tri ditësh do të luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ndaj Qipros. 

Kosova në muajin e kaluar e mposhti Qipron në udhëtim thellë 4:0, ndërsa disfatë të rëndë pësoi në nisje të këtij edicioni të Ligës së Kombeve nga Rumania 3:0 në kryeqytet.

Pas përfundimit të stërvitjes së tretë për faqen zyrtare të FFK-së ka folur mesfushori i Ballkanit, Lindon Emërllahu. 

Emërllahu ka thënë se stërvitjet kanë shkuar mirë dhe është bërë një përzierje e mirë mes lojtarëve të rinj e me përvojë. 

“Besoj se stërvitjet kanë shkuar shumë mirë në këto tri ditë të stërvitjeve. Siç po e shihni, angazhimi është maksimal nga të gjithë futbollistët. Jemi grup shumë i mirë. Kemi disa lojtarë me përvojë e disa të rinj, dhe jemi bërë një miks shumë i mirë”, ka deklaruar Emërllahu. 

21-vjeçari që luan si mesfushor defensiv ka katër paraqitje me “Dardanët”. 

Debutoi ndaj Qipros më 27 shtator të vitit 2022 në Ligën e Kombeve. Pikërisht ndaj Qipros luajti edhe në muajin e kaluar, po në Ligën e Kombeve. 

Paraqitje ka edhe në miqësoret ndaj Ishujve Faroe në vitin 2022 dhe ndaj Norvegjisë më 5 qershor të këtij viti. Dy gola në tri ndeshje i ka edhe me grupmoshën U21 të Kosovës. 

“Lojën e kemi analizuar çdo ditë. Shpresoj që në këto dy ndeshje të marrim gjashtë pikë. Por, së pari vëmendja është te ndeshja e parë të shtunën kundër Lituanisë. Kundër lituanëve pres angazhim shumë të mirë, sikurse ndaj Qipros. Me angazhim të tillë dhe disiplinë, besoj se do t’i marrim tri pikë”, ka theksuar Emërllahu. 

FFK-ja ka njoftuar po ashtu se stërvitjen e fundit në Kosovë, “Dardanët” do ta zhvillojnë të enjten nga ora 11:00, në Kampin Nacional në Hajvali, ndërsa pasdite, skuadra do të udhëtojë për në Kaunas. 

Grupit në Ligën C2 i prin Rumania që ka dy fitore në po aq ndeshje të luajtura. Kosova e Qiproja kanë nga tri pikë, ndërsa Lituania është e fundit, pa pikë.