Përfaqësuesja e Kosovës me gjymtyrë të amputuara ka pësuar disfatë në ndeshjen e parë të turneut Ballkanik që po zhvillohet në Tiranë.
Të enjten gjatë ditës, Kosova u mposht thellë nga Turqia me rezultatin 12:0.
Ndeshjen e radhës, Kosova do ta zhvillojë ndaj Shqipërisë.
Ky ballafaqim luhet nga ora 10:00 të premten në “Shtëpinë e Futbollit”.
Do të jetë edhe ballafaqimi i fundit i këtij turneu, në të cilin pjesëmarrëse janë tri skuadra.
Edhe Shqipëria ka pësuar humbje 11:0 në ndeshjen e parë ndaj përfaqësueses turke, që është fituese e kësaj gare.
Kupën lojtarët e Turqisë do ta pranojnë pas mbylljes së turneut.
“Ky është turneu i tretë në të cilin po merr pjesë ekipi i të amputuarve të Kosovës, pasi më herët ka marrë pjesë në turnetë e zhvilluara në Belgjikë dhe Skoci. FFK do të vazhdojë të mbështesë secilën kategori dhe të ofrojë mundësi të barabarta për gjithëpërfshirje në futboll”, ka shkruar FFK-ja të enjten.