Besnik Hasi u shkarkua nga Mecheleni belg. Shkak ishin rezultatet e dobëta, por edhe përplasjet e tij me të gjitha palët
Një fitore në trembëdhjetë ndeshjet e fundit, 11 humbje nga 45 ndeshje në total, përfshirë edhe disfatën kundër Beerschotit fundjavën e kaluar. Edhe pse 45 minutat e pjesës së dytë ekipi i tij i luajti njëmbëdhjetë kundër dhjetë, nuk arriti ta kthejë rezultatin. Humbi 1:0.
Situata e Besnik Hasit si trajner i Mechelenit nuk ishte e qëndrueshme. Sidomos pas eliminimit në dhjetor nga “Croky Cup” kundër Beerschoto.
Kishte probleme të brendshme për kohë të gjatë. Hasi nuk ka ngurruar të kritikojë menaxhmentin dhe vazhdimisht ka vënë në shënjestër lojtarët e tij.
E kishte quajtur skandal humbjen 4:1 nga Anderlechti.
“Nuk mund të mbrohemi. Nëse pëson katër gola, ky është një skandal. Nëse mbrohemi kështu, do të jetë e pamundur të fitojmë ndeshje. Ne po mbroheshim si fëmijë. A është për shkak të mentalitet? Jo, por kjo ndikon në cilësi. Është skandaloze që pëson katër gola”, pati thënë Hasi.
Ai ishte kritik edhe në fillim të muajit shkurt para ndeshjes ndaj Gentit.
“Nëse afati kalimtar i verës do të ishte i mirë, do të ishim afër plejofit të Championsit këtë sezon apo edhe do të merrnim pjesë. Thjesht e paguajmë vetë faturën”.
Pas ndeshjes ndaj Gentit, ai pati kritika për sulmuesin Lion Lauberbach. Ishte kritik edhe për dhomën e VAR-it pas ndeshjes ndaj Gentit.
Javën e kaluar, pas barazimit ndaj STVV-së, pati një përballje të dhimbshme mes Hasit dhe një tifozi të Mechelenit, i cili e shprehu zemërimin e tij nga tribuna kryesore. Lojtarët duhej të ndalnin trajnerin e tyre. Më pas Hasi e quajti “incident” dhe nuk i kujtohet se çfarë kishte thënë.
Sipas informacioneve të gazetës, tifozi ishte mërzitur për zëvendësimet që kishte bërë Hasi dhe ka bërtitur se trajneri mund të humbë. Një javë më vonë, Hasi foli për situatën me tifozin.
“Ai reagim nuk ishte i mirë nga ana ime. Të gjithë ishim të zhgënjyer pasi pranuam atë gol të vonshëm dhe humbëm pikë. Ne mund të pranojmë kritikat, por unë mendoj se ju duhet t’i lini të qetë lojtarët”, ka thënë Hasi.
Gjithë këto incidente dhe rezultate të dobëta do të thonë se Mechlen nuk sheh rrugëdalje tjetër veçse ta largojë Hasin. Ai është njoftuar me vendimin e Bordit të Mechelenit për shkarkim të martën.
Kosovari ishte trajneri më jetëgjatë në Jupiler Pro League. Sezonin e kaluar ai udhëhoqi drejt mbijetesës Mechelenin, ndërsa në verë kontrata e tij u vazhdua.
Mecheleni e nisi shkëlqyeshëm sezonin dhe madje dukej si kandidat për të siguruar plejofin, por niveli i lojës ra dhe rezultatet ishin zhgënjyese më pas.
Fred Vanderbiest do të marrë përsipër ekipin në dy ndeshjet e ardhshme, në Charleroi dhe kundër Denderot. Ai duhet të udhëheq ekipin drejt pjeofit që siguron garat evropiane.
Mechlen mund të kërkojë një trajner të ri për edicionin e ardhshëm.