Futboll

Përballja e gjigantëve, Barcelona – Bayern

Bayern

Barcelona e Bayern Muencheni kanë synime të mëdha këtë edicion. Të dy skuadrat e mëdha edicionin e nisën me trajnerë të rinj dhe kanë shfaqur formë të lartë deri më tani.

Por një test serioz do ta kenë të mërkurën mbrëma në “Estadi Olimpic Lluis Companys” në Bareloncë. Prej orës 21:00, Barça e Bayerni përballen në kuadër të xhiros së tretë të Ligës së Kampionëve.

Të dy skuadrat synojnë të shkojnë larg në Champions.

Barcelona në xhiron e parë u befasua duke u mposhtur 2:1 nga Monaco. Në xhiron e dytë fitoi me rezultatin 5:0 ndaj kampionit të Zvicrës, Young Boysit. Por dallimi në cilësi mes Bayernit dhe Young Boysit vlerësohet i madh. Kështu që mbetet të shihet nëse skuadra që tani drejtohet nga gjermani Hansi Flick do të ketë paraqitje të tillë dominuese.

Për Flickun do të jetë ndeshje e veçantë. Ai ka të kaluar si lojtar e si trajner te Bayerni. Tani do të japë më të mirën për ta mposhtur këtë skuadër.

“Këtë edicion Bayerni po luan futboll të shkëlqyer nën urdhrat e Vincent Kompany. Lojtarët e Bayernit bëjnë presion shumë lart, janë të guximshëm me dhe pa top. Do të jetë ndeshje e vështirë. Por ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe jemi gati”, ka thënë Flick të martën mbrëma në konferencë për shtyp.

Në fundjavë Barça e luan “El Clasicon” me Real Madridin. Por Flick është i fokusuar vetëm te ndeshja me Bayernin.

“Për momentin ne duhet të mendojmë vetëm për Bayernin, jo për Madridin. Duhet t’i marrim gjërat hap pas hapi, ndeshje pas ndeshjeje. Shumëçka mund të ndodhë në ndeshjet e ardhshme. Po u qasemi atyre pozitivisht. Të gjithë duan të fitojnë”, ka shtuar trajneri gjerman.

Belgu Vincent Kompany po e drejton Bayernin këtë edicion. Ish-mbrojtësi i Manchester Cityt erdhi nga Burnley, por vlerësohet se po bën punë të mirë te gjiganti bavarez.

Bayerni në xhiron e parë të Championsit e turpëroi Dinamo Zagrebin duke e mposhtur 9:2. Por në xhiron e dytë skuadra gjermane u befasua duke u mposhtur 1:0 nga Aston Villa.

Në fundjavë Bayerni fitoi 4:0 ndaj Stuttgartit në Bundesligë. Bayerni udhëheq në tabelën e Bundesligës me 17  pikë, sa i ka edhe Leipzigu në vendin e dytë.

Barcelona në fundjavë fitoi 5:1 ndaj Sevillas. Udhëheq në La Liga me 27 pikë. Ka nëntë fitore e një disfatë.

“Unë personalisht nuk bëj dallime mes ndeshjeve dhe kundërshtarëve. Tani është një ndeshje e rëndësishme për mua. Duam të testojmë veten ndaj top-klubeve evropiane. Do të jetë interesant”, ka thënë Kompany.

Ai ka thënë se Hansi Flick ishte më shumë se trajner te Bayerni. Se ishte shumë i suksesshëm dhe se ka prezantuar Bayernin në mënyrë të veçantë.

“Për të do të thotë shumë që do të paraqitet ndaj ish-skuadrës. Stili i tij është i qartë, njëjtë edhe i imi. Le të shohim kush do të fitojë”, ka shtuar Kompany.

Kampioni gjerman, Bayern Leverkusen, do të  paraqitet në Francë ndaj Brestit. Është kjo njëra prej dy ndeshjeve që fillojnë në ora 18:45. Do të jetë ky një testim serioz për skuadrën e Granit Xhakës. Bresti ka fituar dy ndeshjet e para.

Prej orës 18:00 është edhe ndeshja Atalanta – Celtic. Tek Atalanta prej lojtarëve më të rëndësishëm është Berat Gjimshiti.

Ndeshjet e tjera të orës 21:00 janë: Atletico Madrid – Lille, Benfica – Feyenoord, Manchester City – Sparta Pragë, RB Leipzig – Liverpool, Salzburg – Dinamo Zagreb, Young Boys – Inter.