Barcelona e festoi trofeun e Kupës së Mbretit të shtunën mbrëma, kurse trajneri Hansi Flick beson se mund të fitohen edhe trofe të tjerë.
“Blaugrana” mbetet në pozitë të mirë për ta fituar La Ligan, ndërsa në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve përballet me Interin.
Trajneri i Barcelonës, Flick, ka thënë se është krenar me lojtarët e tij, por ka insistuar se ata duhet të rikuperohen për të qenë të gatshëm për ndeshjet që i presin.
Barcelona të shtunën mbrëma në finale të Kupës së Mbretit e mposhti Real Madridin me rezultatin 3:2, pas vazhdimeve.
“Jam shumë i lumtur për ekipin dhe për punën e madhe që është bërë nga lojtarët. Ka qenë absolutisht e jashtëzakonshme mënyra se si luftuan, si arritën që të ktheheshin në lojë. Jam shumë krenar me ekipin tim”, ka thënë gjermani Flick.
Ekipi nga Katalonja krijoi epërsi pas golit të Pedrit në minutën e 28-të. Kylian Mbappe dhe Aurelien Tchouameni realizuan në minutat 70-të e 77-të për 2:1 në të mirë të Madridit.
Por Ferran Torres i barazoi shifrat në minutën e 84-t dhe e dërgoi finalen në vazhdime. Jules Kounde me golin e minutës së 116-të bëri që festa madhështore t’i takojë Barcelonës, ndërsa Real Madridi mbeti i tronditur. Goli u shënua pas një gabimi të lojtarëve madrilenë.
Pati shumë tensione në prag të vërshëllimës së fundit. Antonio Rudiger dhe Lucas Vazquez, të cilët ishin zëvendësuar më herët, u ndëshkuan me të kuq pasi reaguan ashpër ndaj gjyqtarit kryesor Ricardo de Burgos Bengoetxea, pas një faulli që e kishte dhënë kundër Mbappes. Në raportin e gjyqtarit shkruan se qendërmbrojtësi 32-vjeçar Rudiger kishte hedhur një objekt në fushë, i cili megjithatë nuk e kishte goditur arbitrin. Është raportuar se objekti që ishte hedhur në drejtim të arbitrit ka qenë kub i akullit.
Ndaj po të njëjtit gjyqtar, Real Madridi kishte akuza të ashpra para finales. Madje një ditë para se të zhvillohej finalja kërkoi zëvendësimin e tij dhe të tjerëve. Por kërkesa nuk u pranua.
Të dielën, Rudiger ka kërkuar falje për reagimin e ashpër.
“Pa dyshim se nuk ka asnjë justifikim për sjelljen time. Më vjen keq për këtë. I kërkoj falje sërish gjyqtarit dhe të gjithëve të cilët i kam dëshpëruar”, ka shkruar Rudiger në Instagram.
Mbrojtësi gjerman mund të dënohet për kohë të gjatë, nëse merret për bazë kodi disiplinor i Federatës së Futbollit të Spanjës.
Neni 101 për raste të tilla parashikon dënime prej katër deri në 12 ndeshje. Në nenin 104, dënimi është edhe më i rëndë, nëse ka sulm ndaj gjyqtarit. Lojtarët në ato raste mund të dënohen prej tre deri në gjashtë muaj.
Te “Los Blancos” me të kuq në sekondat e fundit u ndëshkua edhe mesfushori Jude Bellingham, ndërsa Barcelona iu gëzua triumfit të 32-të në Kupën e Mbretit.
“Të fitosh trofe në ndeshje të ‘El Clasicos’ ndaj Real Madridit është gjithmonë e veçantë. Jam shumë i lumtur për lojtarët e mi dhe për 26 mijë tifozët e Barcelonës që ishin në tribuna. Ata e meritojnë. Tani duhet ta festojmë trofeun dhe objektivi më pas është të rikuperohemi, të rikuperohemi dhe të rikuperohemi. ‘Tripleta’ është opsion, por ne duhet ta vazhdojmë punën. Kur e kam parë festën e njerëzve, lojtarëve dhe stafit, isha shumë i emocionuar. Lojtarët e kanë merituar këtë. Ka qenë fitore e madhe. Në pjesën e dytë Madridi bëri mirë, por ne barazuam rezultatin dhe Kounde ishte në gjendje ta shënonte atë gol të fitores. Është shumë emocionuese dhe e pabesueshme”, ka vazhduar Hansi Flick.
Flicku po e udhëheq Barcelonën drejt titullit në La Liga. Kjo skuadër ka katër pikë më shumë se Real Madridi kur kanë mbetur edhe pesë xhiro për t’u luajtur. Barça të mërkurën e luan gjysmëfinalen e parë të Championsit me Interin.
“Mendoj se krijimi i atmosferës së mirë në dhomat e zhveshjes është i rëndësishëm dhe vendimtar. Të jep shumë vetëbesim. Stafi, lojtarët, të gjithë kanë mentalitet fantastik. Dhe shihni si u kthyem në lojë me aftësinë për të menduar pozitivisht. Dhe Jules e bëri atë. Ka qenë thjesht natë e përkryer”.
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ishte i mërzitur teksa edicioni i vështirë po vazhdon.
“E kishim ndeshjen nën kontroll, por ata provuan ta dërgonin topin prapa shpinës tonë dhe këtu gjërat na u komplikuan. Ne do të vazhdojmë të luftojmë sepse ne dhamë çdo gjë, kemi bërë garë të mirë. Ishim më afër sesa kundërshtari. Keq që nuk arritëm të fitonim, por ne e kemi bërë punën që e kishim për ta bërë”, deklaroi Ancelotti.
Real Madridi në edicionin e kaluar me Ancelottin në krye e fitoi La Ligan dhe Ligën e Kampionëve. Tekniku italian nuk pritet t’i drejtojë madrilenët në edicionin e ardhshëm.