Pas pushimit dyjavor për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve, Superliga e Kosovës në futboll do të vazhdojë të shtunën me dy takime derbi.
Në elitën e futbollit kosovar gara për titull është bërë shumë e zjarrtë. Interesante është edhe gara për mbijetesë, përkatësisht për t’i ikur barazhit.
Pas xhiros së 26-të, Ballkani është lider me 52 pikë, një më shumë se Llapi i vendit të dytë dhe dy më shumë se Drita e vendit të tretë. Malisheva është e katërta me 47 pikë, ndërsa Prishtina e pesta me 38 pikë.
Kampioni i dy edicioneve të fundit, Ballkani i Suharekës do të ballafaqohet me Prishtinën. Ballkani është mysafir. Ndeshja zhvillohet të shtunën në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan dhe nis në orën 15:00.
Ballkani fitoren e fundit kundër Prishtinës e ka realizuar më 4 shtator të vitit 2022.
Prej asaj kohe, pesë herë skuadrat kanë luajtur baras, ndërsa Prishtina ka shënuar dy fitore. Një e shënoi në Kupën e Kosovës vitin e kaluar dhe tjetrën në fillim të këtij viti kur e fitoi Superkupën e Kosovës.
Pavarësisht statistikave nga ndeshjet e ndërsjella, sulmuesi i rikthyer te Ballkani, Meriton Korenica, ka theksuar se kampioni do të luajë për pikët e plota.
“Po, do të jetë ndeshje e vështirë. Megjithatë, ne jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Do ta japim maksimumin për fitore. Ne do të luftojmë për synimet tona deri në fund. Jemi në rrugë të mirë, jemi në vendin e parë dhe do të luftojmë deri në fund”, ka thënë Korenica të premten për KOHËN.
Fitoren në derbi e synojnë edhe te Prishtina. Skuadra e kaltër e kërkon edhe Kupën e Kosovës, njëjtë si Ballkani.
Dueli tjetër që vlerësohet derbi i xhiros së 27-të po ashtu do të luhet të shtunën. Në stadiumin “Liman Gegaj” takohen Malisheva dhe Drita.
Drita përballet me mungesa të rëndësishme, por synon të mbetet në garë për titull.
“E dimë që nesër kemi përballë Malishevën, një skuadër që ka bërë shumë lojëra të bukura, ka arritur shumë rezultate pozitive sidomos në këto ndeshjet e fundit. Ka një ecuri mjaft pozitive. Dua që të merrem me ekipin tim. Unë mendoj që këto dy javë i kemi shfrytëzuar edhe për të pushuar ekipin për shkak të ngarkesave, por edhe për t’i përmirësuar disa gabime që i kemi bërë në ndeshjet e kaluara. Ndeshje të lehtë nuk ka. Do të jetë ndeshje e vështirë”, ka thënë trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, të premten në konferencën për shtyp.
Ai ka shtuar se Malisheva është skuadër që pretendon kreun e tabelës dhe ka përgëzuar punën e trajnerit Qëndrim Kida.
Përkrah trajnerit Ramadani në konferencën për shtyp ishte mesfushori Ensar Huruglica.
“Malisheva është në formë të mirë, por ne i dimë cilësitë tona. Shkojmë për fitore dhe shpresojmë që të arrijmë fitoren”, deklaroi Huruglica.
Të dielën në program për t’u luajtur janë ndeshjet Llapi – Liria, Feronikeli 74 – Fushë Kosova dhe Gjilani – Dukagjini.
Superliga – XXVII
E shtunë (15:00)
Prishtina – Ballkani
Malisheva – Drita
E diel (15:00)
Llapi – Liria
Feronikeli 74 – Fushë Kosova
Gjilani - Dukagjini