Futboll

Pas kthimit te St. Galleni, Fazliji pret ftesën e Kosovës

Betim Fazliji

Dita të cilën Betim Fazliji e kishte pritur shumë gjatë, i erdhi të dielën.

Fazliji 25-vjeçar të dielën luajti nga minuta e 68-të në disfatën e St. Gallenit ndaj Luzernit me rezultatin 2:0, në kuadër të javës së 21-të të Superligës së futbollit zviceran. Paraqitja në ndeshje të Superligës, për Fazlijin ishte e para pas më shumë se një viti pauzë.

Ndeshjen e fundit zyrtare në Superligën e Zvicrës, Fazliji me St. Gallenin e kishte luajtur më 11 nëntor të vitit 2023. Më pas, për 90 minuta kishte luajtur ndaj Wacker Innsbruckut në miqësoren e 17 nëntorit të atij viti.

Prej asaj kohe, Fazliji që luan si qendërmbrojtës, por edhe si mesfushor defensiv, nuk kishte luajtur fare deri në miqësoren e 7 janarit të këtij viti ndaj Karlsruherit.

Ndaj ekipit të kategorisë së dytë të futbollit gjerman, Fazliji luajti 33 minuta, ndërsa të dielën regjistroi ndeshjen e tij të parë në Superligë.

Fazliji pranon se kthimin e kishte menduar më ndryshe.

“E kam ndier veten shumë mirë. Rezultati nuk ishte siç e kam paramenduar kthimin tim. Por unë vetë personalisht po ndihem shumë mirë fizikisht, por edhe mendërisht”, ka thënë Fazliji të dielën për KOHËN.

Pas lëndimit, në fushë të futbollit kishte shkelur për herë të parë më 23 prill. Kishte nisur stërvitjet individuale.

“Jam shumë i kënaqur që jam kthyer dhe kam luajtur ndeshjen e parë në ligë. Ka qenë kohë e gjatë dhe e vështirë. Por erdhi dita dhe më është shpërblyer gjithë sakrifica dhe puna që kam bërë. Po e ndiej veten shumë mirë”, është shprehur Fazliji.

Fazliji është prej lojtarëve të rëndësishëm të St. Gallenit, por edhe të Kosovës. Për përfaqësuesen ai megjithatë nuk ka luajtur që nga 12 tetori i vitit të kaluar.

Fazliji luan në pjesën defensive të mesfushës, ku Kosova ka pasur telashe, por edhe në mbrojtje.

Fazliji i ka 20 ndeshje për Kosovën. Në shumë prej tyre ishte startues. Ai pret ftesën e selektorit Franco Foda për ndeshjet e marsit. Kosova në mars i luan dy ndeshjet e plejofit të Ligës së Kombeve kundër Islandës.

Ndeshjet e plejofit për inkuadrim në Ligën B të Ligës së Kombeve, Kosova i luan më 20 dhe më 23 mars.

Fillimisht do të luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa tri ditë më vonë ballafaqohet me islandezët në Spanjë, përkatësisht në stadiumin “Enrique Roca” në Murcia.

“Qëllimi është të jem pjesë e Kosovës për ndeshjet e marsit. Besoj se mund ta jap kontributin tim, ashtu siç kam bërë edhe në të kaluarën. Më ka munguar shumë paraqitja për Kosovën”, ka thënë Fazliji.

Si futbollist është rritur te St. Galleni. Në verën e vitit 2022 ishte transferuar te St. Pauli në Bundesliga 2 të Gjermanisë. Por pas vetëm një edicioni në Gjermani, u kthye te St. Galleni dhe firmosi për katër vjet. Ka kontratë deri në vitin 2027.

Pjesë e kësaj skuadre janë edhe Bastien Toma e Albert Vallçi.

Toma të dielën luajti deri në minutën e 56-të, kurse Albert Vallçi mbeti në bankën e rezervistëve te St. Galleni.

St. Galleni zë vendin e shtatë me 29 pikë.