Pas mesfushorit Toni Kroos, nga Përfaqësuesja e Gjermanisë pritet të tërhiqet edhe një fitues i Kupës së Botës.
Gazeta e madhe gjermane “Bild” ka shkruar të mërkurën se Thomas Mueller do ta përfundojë karrierën me Gjermaninë pas 131 ndeshjeve dhe 45 golave të shënuar.
Të premten e kaluar, Gjermania u eliminua nga “Euro 2024” nga Spanja në çerekfinale të turneut, pasi u mposht 2:1 pas vazhdimeve.
Mueller debutoi me Gjermaninë në mars të vitit 2010 kundër Argjentinës, përfaqësueses ndaj së cilës e fitoi Kupën e Botës 2014.
Gjermania kishte fituar 1:0 në finale, pas vazhdimeve.
34-vjeçari Mueller ka qenë pjesëmarrës në katër Kupa të Botës dhe po aq Kampionate Evropiane.
Vetëm Lothar Matthaus me 150 paraqitje dhe Miroslav Klose me 137 ndeshje të luajtura, kanë zhvilluar më shumë ndeshje sesa Mueller.
Mediat gjermane kanë shkruar po ashtu se edhe portieri 38-vjeçar, Manuel Neuer dhe mesfushori 33-vjeçar, Ilkay Guendogan, pritet të përshëndeten nga përfaqësuesja.