Futbollistet e Kosovës e nisën me fitore bindëse paraqitjen në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Më 21 shkurt në Shkup, Kosova fitoi 4:0 ndaj Maqedonisë së Veriut.
Por më 25 shkurt, në “Fadil Vokrri”, Kosova befasoi për të keq. Ndonëse ishte favorite, pësoi 1:0 nga Letonia.
Përfaqësuesja e futbollisteve të martën e luan ndeshjen e tretë. Nga ora 14:00 në “Fadil Vokrri” e pret Maqedoninë e Veriut. Fitorja vlerësohet “obligim” për të mbetur në garë për kalim në Ligën B. Kosova është në Grupin 6 të Ligës C, në të cilin Letonia udhëheq me gjashtë pikë. Kosova është e dyta me tri pikë, ndërsa Maqedonia e Veriut i ka humbur dy ndeshjet e deritashme dhe renditet e fundit, pa pikë.
Letonia më 4 prill fitoi 2:1 në Shkup ndaj Maqedonisë së Veriut.
Vetëm fituesi i grupit e ka të sigurt kalimin në Ligën B. Në short, Kosova ishte në vazon e parë dhe rrjedhimisht edhe favorite për ta fituar grupin. Por tashmë Letonia është në pozitë më të favorshme. E pret Kosovën më 3 qershor në ndeshjen e fundit dhe vendimtare.
Te “Dardanet” megjithatë i gjithë fokusi aktualisht është te ndeshja e së martës me Maqedoninë e Veriut.
“Kemi pasur gjashtë ditë përgatitje. Sot po i bëjmë përgatitjet e fundit. Në shkurt kemi luajtur me Maqedoninë dhe rezultati ishte bindës. Por ajo i takon së kaluarës. Në futboll çdo ndeshje është diçka e re. Kemi marrë masat dhe me zero neglizhencë dhe fokusim maksimal i qasemi ndeshjes. Gara nuk toleron të kemi qasje joserioze. Ka pak lojë dhe nëse dështon në ndonjë lojë është vështirë të rikuperohet”, ka thënë selektori Sami Sermaxhaj.
Ka pasur reagime për mbetjen jashtë listës së Kosovës të Edona Kryeziut, njëra prej lojtareve më me përvojë.
Një tjetër lojtare me përvojë, sulmuesja Kaltrina Biqkaj, ka thënë se synimi është i qartë.
“Çdoherë në fushë hyjmë vetëm për fitore. Fitorja si mysafir ishte shumë e mirë dhe ajo është motiv për ne. E respektojmë kundërshtarin, por fokusi është tek ekipi ynë”, ka thënë Biqkaj.
Kosova në edicionin e parë të Ligës së Kombeve ishte në ligën C, por e fitoi grupin dhe doli në B në kualifikimet për “Euro 2025”. Në kualifikime i humbi të gjitha ndeshjet në grup me Uellsin, Ukrainën dhe Kroacinë dhe kështu është kthyer në C për edicionin e dytë të Ligës së Kombeve.