Është fitorja ajo që llogaritet në fund. Kjo fjali dëgjohet shpesh në sport. Dhe mund të përshkruaj ndeshjen e së enjtes mbrëma mes Kosovës dhe Islandës.
Kosova fitoi 2:1 dhe kjo llogaritet. Por fitorja ishte goxha e mundimshme.
Të dhënat statistikore e dëshmojnë këtë, ndër të tjera. Islandezët e kishin topin në 54 për qind të kohës. Kompletuan plot 434 pasime, për dallim nga lojtarët e Kosovës që i kishin 314. Islanda kishte edhe më shumë goditje që shkuan në kornizë të portës – shtatë. Kosova i kishte gjashtë.
Numri i goditjeve të sakta dëshmon që portieri Arijanet Muriq është më meritori për fitoren 2:1. Ai bëri gjashtë pritje, disa prej tyre pas goditjeve të papërshtatshme. Dhe fakti që Islanda i kishte shtatë goditje në kornizë të portës në ndeshjen në udhëtim, dëshmon që nuk ishte aspak inferiore në fushë.
Por portieri që po ka telashe në Premier League, Muriq, shfaqi njërën prej ndeshjeve më të mira për Kosovën, nëse jo më të mirën. Dhe ishte i pakalueshëm për Islandën, pos në një rast.
Edhe Kosova kishte raste të shumta, ndërsa realizoi dy herë. Golat nuk u shënuan pas aksioneve të rrjedhshme dhe nuk u shënuan nga lojtarët që pritej të shënojnë. Golin e parë e shënoi mbrojtësi i qendrës, Lumbardh Dellova, ndërsa të dytin mesfushori qendror, Elvis Rexhbeçaj. Të dy realizuan me goditje të ulëta nga distanca.
Pas fitores 2:1 në ndeshjen e parë, Kosova mund të llogaritet favorite e lehtë për ndeshjen e dytë, që zhvillohet të dielën prej orës 18:00 në Murcia të Spanjës. Ndeshja luhet në terren neutral, pasi Islanda nuk e ka të gatshëm stadiumin. Kjo e favorizon Kosovën.
Te Kosova e kanë pranuar se sfida është ende plotësisht e hapur dhe se çdo gjë vendoset në ndeshjen e dytë.
“Ende nuk ka përfunduar asgjë. I kemi edhe 90 minuta në udhëtim që janë shumë të rëndësishëm. Shkojmë për fitore. Duhet ta harrojmë këtë fitore dhe të japim maksimumin për fitore të re. Vetëm më pas mund të festojmë”, ka thënë Ermal Krasniqi, që e kompletoi ndeshjen e së enjtes në “Fadil Vokrri”.
“Shkojmë vetëm për fitore dhe për asgjë tjetër. Na pret një ndeshje e vështirë. Do të japim më të mirën për fitore tjetër”, ka thënë Dellova.
Edhe më sfidues bëhet ndeshja e kthimit për Kosovën për shkak të mungesave. Aro Muriq nuk do të jetë në portë. Donat Rrudhani nuk do të paraqitet në krahun e majtë.
FFK-ja të premten njoftoi se Muriq e Rrudhani nuk kanë udhëtuar për në Spanjë për shkak se janë lënduar në ndeshjen e së enjtes. Pas kontrollimeve mjekësore të bëra të premten është kuptuar se asnjëri prej tyre nuk mund të rikuperohet për të dielën. Udhëtimi për në Spanjë është bërë të premten.
Për shkak të kartonëve mungon edhe Valon Berisha, që po ashtu ishte startues në takimin e parë. Edon Zhegrova është tjetër mungesë e madhe. Ai nuk ishte as të enjten.
Tek Islanda kanë vlerësuar se në ndeshje kishte shumë gjëra të mira dhe pak gjëra jo të mira që duhet të përmirësohen.
Selektori Arnar Gunnlaugsson është pyetur nëse është optimist për ndeshjen e kthimit.
“Po, nuk është shokuese të humbësh 2:1 në udhëtim. Nuk është fundi i botës. Tani topi fillon të rrokulliset dhe do të ishte më keq nëse do të pësonim 3:1. Varet nga ne tani dhe në ndeshjen e kthimit do të futemi edhe më fuqishëm. As që diskutohet kjo”, ka thënë selektori islandez.
Islanda ishte në Ligën B dhe kërkon të mbetet në nivelin e dytë të Ligës së Kombeve. Kosova ishte në Ligën C dhe kërkon që për herë të parë të garojë në Ligën B, në ediconin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.