Futboll

Pas depresionit të rëndë, ylli i Sllovenisë buzëqesh sërish

Josip Iliçiq

Nëse historia e 36-vjeçarit Josip Iliçiq nuk do të ishte e vërtetë, ajo do të mund të tregohej si përrallë.

Për katër vjet sulmuesi slloven u sfidua nga e keqja, që në rastin e tij ishte depresioni. Javët e fundit kanë dëshmuar se e mira dhe Iliçiqi kanë triumfuar.

Krejtësisht papritur, Iliçiq fillimisht u përfshi në skuadrën e zgjeruar të Sllovenisë për Kampionatin Evropian të futbollit. Dhe më pas të martën mbrëma ai shënoi gol në ndeshjen miqësore ndaj Armenisë. Ishte ndeshja e tij e parë ndërkombëtare pas gati tri vjetësh.

“Profesori”, siç e quanin dikur tifozët e Atalantas, është rikthyer. Më në fund.

Periudha e gjatë e vuajtjeve të Iliçiqit nisi me shfaqjen e koronavirusit. Kur virusi u shfaq së pari, në vitin 2020, ai ishte në kulmin e karrierës. Katër golat e tij në fitoren 4:3 ndaj Valencias mbahen mend ende.

Ishte marsi i vitit 2020 dhe ndeshja e Ligës së Kampionëve.

Pas asaj ndeshjeje asgjë nuk ishte si më parë. Bergamo ishte epiqendër e epidemisë. I izoluar nga familja e tij në Slloveni, Iliçiqi pa se si kamionët e ushtrisë po bartnin kufomat jashtë qytetit. Kjo hapi plagë të vjetra te Iliçiqi. Ktheu në kujtesë kohën kur ai dhe familja e tij u larguan nga Bosnja në Slloveni për shkak të luftës. 

Iliçiqi ra në depresion. Kur kufijtë u hapën për herë të parë në verën e vitit 2020, ai shkoi drejt e në shtëpi për trajtim psikologjik. Kjo i shërbeu aq shumë sa që ishte në gjendje të bënte fillim të ri në vjeshtë të atij viti. Dukej mirë. Por ky ishte vetëm një perceptim i jashtëm. Ai humbi interesimin për futbollin. Një vit më pas, depresioni iu kthye.

Gjërat u bënë sërish të zeza në jetën e Iliçiqit dhe ai u zhduk nga skena dhe nga fushat e futbollit. Këtë herë dukej për periudhë më të gjatë. Ai u kthye në Slloveni. E ndërpreu karrierën, humbi formën fizike dhe u dorëzua mentalisht. E ndërpreu kontratën me Atalantan me marrëveshje të dyanshme.

Vetëm më pas 36-vjeçari nisi të kthehet, hap pas hapi. Në vjeshtën e vitit 2022, Maribori, klubi i tij në moshë të re, i ofroi mundësinë që të fillojë të luajë futboll sërish. Ai firmosi, por nuk u ngut për asgjë.

Vetëm në edicionin e fundit nisi të luajë rregullisht. Dhe ishte aq impresiv, me tetë gola e 11 asistime, saqë selektori Matjazh Kek me shumë mundësi do ta marrë në Evropian.

Ai gjithnjë ka ëndërruar të luajë në një turne të madh me Slloveninë. Duket që ëndrra e tij më në fund po realizohet.