Futboll

Parisi kthehet në Londër dukshëm më i fortë se në ndeshjen e parë me Arsenalin

Arsenal

Paris Saint-Germaini do të jetë kundërshtar dukshëm më i fortë për Arsenalin në ndeshjen e dytë të skuadrave në këtë edicion të Ligës së Kampionëve. Kështu të paktën ka thënë trajneri i parisienëve, Luis Enrique, të hënën në konferencë për shtyp.

Arsenali e pret kampionin e Francës të martën prej orës 21:00 në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve. Ndeshja zhvillohet në Londër.

Po në stadiumin “Emirates”, Arsenali më 1 tetor të vitit të kaluar kishte fituar 2:0 ndaj PSG-së në kuadër të xhiros së dytë të fazës së ligës në Champions. Kai Havertz dhe Bukayo Saka kishin shënuar golat për “topçinjtë” në pjesën e parë të ndeshjes.

Por Parisi është rritur shumë prej atëherë, të paktën sa u takon rezultateve. E ka siguruar titullin e kampionit të Francës, është kualifikuar në finale të Kupës së Francës dhe ka eliminuar kampionin e Anglisë, Liverpoolin dhe skuadrën tjetër angleze, Aston Villan, rrugës për në gjysmëfinale të Championsit.

“Ajo ndeshje ishte shtatë apo tetë muaj më parë. E kam shikuar ndeshjen sërish. Jemi ekip shumë më i mirë tani. Kemi pasur fazë të ligës shumë të ngarkuar, me shumë ndeshje që do të mund të ishin finale. Kjo mendoj se e bëri më të vështirë. Ishim në pozitë të vështirë, por kjo na bëri më të fortë dhe tani jemi më të kompletuar”, ka thënë Enrique.

“Këto janë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, por janë ende dy ndeshje mes ekipeve me synim të njëjtë. Më e rëndësishmja do të jetë që të kontrollohet presioni”, ka shtuar trajneri i Parisit.

Arsenali është i pamposhtur në shtëpi në ndeshjet e Ligës së Kampionëve këtë edicion. Në çerekfinale e eliminoi kampionin e edicionit të kaluar, Real Madridin, me dy paraqitje impresive.

Skuadra londineze e ka respektin e plotë të Enriques.

“Arsenali është njëri prej ekipeve më të mira në Evropë, që po bën punë të mahnitshme me trajnerin e tij për shumë vjet tashmë. Të gjitha ekipet e meritojmë të jemi këtu. Më pëlqen ekipi im më së shumti, prandaj jam këtu. Disa njerëz e duan Parisin më shumë, disa të tjerë Arsenalin, është pjesë e jetës”, ka vazhduar Enrique.

PSG-ja dhe Arsenali e kërkojnë trofeun e parë në garën elitare evropiane. Enrique ka thënë se objektivi është vështirë i arritshëm. Kjo, sipas tij, nuk do të thotë se janë në presion, por se janë ambiciozë.

Arsenali e ka humbur garën për titull në Premier League, por kualifikimi në gjysmëfinale të Championsit është sukses i madh. Pas eliminimit të Real Madridit, londinezët shpresojnë të kalojnë edhe pengesën e fundit drejt finales.

“Sidomos për shkak të rrethanave që i kishim këtë edicion dhe për mënyrën se si i kemi kaluar çështjet dhe sfidat, e kemi merituar të jemi në mesin e katër ekipeve më të mira në Evropë. Është rrëfim i bukur, por tani ne duam më shumë”, ka thënë trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta.

Sipas tij, gjysmëfinalja do të tregojë se çfarë skuadre është Arsenali në të vërtetë.

“Tani ka të bëjë me limitet dhe me atë se sa larg duam të shkojmë”, ka shtuar Arteta.

Në gjysmëfinalen tjetër, të mërkurën mbrëma, takohen Barcelona e Interi.