Futboll

Paris Saint-Germaini, kampioni i parë i top-ligave evropiane

PSG

Paris Saint-Germaini është kampioni i parë i top-ligave evropiane për edicionin aktual.

Parisienët e drejtuar nga trajneri Luis Enrique e fituan të shtunën edhe ndeshjen e xhiros së 28-të të kampionatit elitar francez ndaj Angersit, për titullin e 13-të në histori të klubit që është rekord në Francë.

Saint-Etienne mbetet me dhjetë tituj. Marseille ka nëntë, ndërsa Monaco e Nantesi kanë nga tetë tituj.

Golin që ia siguroi PSG-së titullin e kampionit për edicionin aktual e shënoi sulmuesi i talentuar 19-vjeçar, Desire Doue.

Doue u asistua nga Khvicha Kvaratskhelia në minutën e 55-të, ndërsa PSG-ja e mposhti Angersin 1:0 në ndeshjen e 16-të rresht në elitën franceze.

PSG-ja e fiton kampionatin me 23 fitore e pesë barazime dhe pa humbje, duke u bërë vetëm skuadra e dytë që e regjistron këtë sukses pas Nantesit të edicionit 1994-95.

Parisienët kanë shënuar 80 gola, ndërsa ka pranuar vetëm 26-të në kampionat. 

Kanë 74 pikë në vendin e parë.

Tani PSG-ja do ta kthejë vëmendjen te Liga e Kampionëve. Të mërkurën luan në “Parkun e Princave” ndaj Aston Villas, në ndeshjen e parë të çerekfinales.

PSG-ja në një të tetën e finales e eliminoi Liverpoolin.

PSG-ja do të luajë edhe në finale të Kupës së Francës ndaj Reimsit më 24.

Në qershor udhëton për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kupën e Botës për Klube.