Futboll

Paraqitja e Xhakës vlerësohet brilante, ai flet për ndeshjen me Bayernin

Granit Xhaka

Granit Xhaka ka shkëlqyer të shtunën në fitoren 4:1 të Bayer Leverkusenit ndaj Eintracht Frankfurtit. Ndeshja e xhiros së 24-t të Bundesligës u zhvillua në Frankfurt, ndërsa Xhaka bëri asistim mjeshtëror dhe kishte dominin të plotë në mesfushë.

Kampioni aktual i Gjermanisë, Leverkuseni, të dielën e shpalli lojtar të ndeshjes duke shkruar se “Xhaka ka shëtitur plotësisht në fushë”.

Sajti i njohur gjerman “Sport1” e shpalli lojtarin më të mirë të ditës, ndërsa paraqitjen e kosovarit e vlerësoi “brilante”.

Edhe “Bild” ka shkruar për paraqitje shumë bindëse të Xhakës ndaj Frankfurtit.

Por është ndeshja e radhës e Bayer Leverkusenit që pritet me shumë vëmendje. Të mërkurën Bayern Muncheni dhe Bayer Leverkuseni përballen në ndeshjen e parë të një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve.

Në një intervistë për “ZDF”, Xhaka foli për këtë ndeshje.
“Për mua favorit është ai që gjendet në vendin e parë. Në vendin e parë nuk jemi ne për momentin, por është Bayerni. Kështu që Bayerni është favorit, ndonëse dallimi nuk është i madh”, ka thënë mesfushori.

Dy javë më parë skuadrat u përballën në Bundesligë. Leverkuseni dominoi plotësisht, por ndeshja përfundoi 0:0. Xabi Alonso nuk ka humbur asnjëherë si trajner i Leverkusenit nga Bayerni, ish-ekipi i tij. Tri ndeshje i ka fituar e tri kanë përfunduar gara. 

Leverkuseni po ashtu është në moment të mirë, ndonëse nuk është lider në Bundesligë. Është i pamposhtur në 22 ndeshje rresht në Bundesligë.

Xhaka ka meritat në këtë seri.

“Ne e dimë se si të luajmë ndaj Bayernit. Trajneri na përgatit mirë. Mundohemi ta shfrytëzojmë mirë këtë në fushë dhe të marrim diçka me mentalitet të mirë. Nuk mund ta ndalësh gjithnjë Bayernin për 90 minuta. Duhet të shfaqësh me dëshirë dhe uri. Jemi dukur mirë në ndeshjet e fundit ndaj Bayernit. Por kjo do të jetë ndeshje krejtësisht tjetër”, ka theksuar kapiteni i Zvicrës.

Ai megjithatë ka shtuar se gjasat janë të barabarta. Ndeshja e kthimit do të jetë në Leverkusen dhe kjo mund të ndikojë.
“Mezi e presim ndeshjen. Për mendimin tim është ndeshje me mundësi të barabarta, 50-50. Është gjithnjë vështirë të luash në Munih. Duhet ta kemi në mendje që e kemi edhe ndeshjen në shtëpi dhe të luajmë me zgjuarsi”.

“Sport1” ka shkruar se me paraqitjen e së shtunës në Frankfurt, sidomos në pjesën e parë, Xhaka ka bërë të qartë se kampioni në fuqi i Gjermanisë do të ketë shanse të mira në ndeshjen e së mërkurës. Sipas këtij mediumi, paraqitje e ngjashme e Xhakës pritet edhe të mërkurën në Champions.

Ai kontribuoi në dy gola me pasime mjeshtërore, ndërsa ishte gjithnjë gati për duele.
“Jam i përgatitur”, ka thënë 32-vjeçari për “Sky”. “Ndoshta jam më i përgatitur se vitin e kaluar. Nuk po bëhem më i ri, por me sa duket kjo nuk po vërehet”.

Xhakës i përshtatet shumë stili i lojës së trajnerit Alonso.

“Të luajmë me rrezik ndonjëherë na përshtatet. Edhe mua po ashtu”, ka thënë Xhaka.

Ai luajti deri në minutën e 77-të, pasi e përfundoi punën deri në atë kohë. Dhe natyrisht pasi Alonso pret shumë prej tij në superduelin e së mërkurës në Champions.