Në stadiumin “Fadil Vokrri” të dielën u zhvillua ndeshja e Superligës së Kosovës në futboll mes Prishtinës dhe Ferizajt.
Larg Prishtinës, përkatësisht në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, po të dielën u zhvillua ndeshja e parë gjysmëfinale e plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll. Termini i dy ndeshjeve ishte i përafërt, madje më i përshtatshëm ishte ai i futbollit.
Nga ora 20:00, nën ndriçimin e reflektorëve, Prishtina e priti Ferizajn në stadiumin kryesor në vend. Një orë më herët nisi sfida e Bashkimit me skuadrën e Pejës.
Derisa tribunat në “Fadil Vokrri” ishin gati të zbrazëta, në “Sezai Surroi” nuk kishte asnjë vend të lirë.
E stërmbushur ishte edhe palestra “Minatori” në Mitrovicë të shtunën në gjysmëfinalen tjetër të plejofit të Superligës në basketboll, ku Trepça luajti ndaj Sigal Prishtinës.
Tribunat e mbushura me shikues ishin edhe gjatë shumicës së ndeshjeve çerekfinale të plejofit në basketboll.
Por ndryshe qëndron gjendja në futboll. Shumë prej ndeshjeve të 30 xhirove të deritashme të Superligës së Kosovës janë zhvilluar me numër të vogël shikuesish në tribuna.
Trajnerë të futbollit numërojnë disa faktorë që kanë ndikuar në largimin e shikuesve nga tribunat. Prej faktorëve që ka ndikuar më së shumti thonë se është mungesa e stadiumeve. Tjetër arsye mund të jetë largimi i qytetarëve nga Kosova pas liberalizimit të vizave.

“Mendoj se njëra prej arsyeve që nuk ka shikues është infrastruktura sportive. Nuk mund të ketë shikues, nëse nuk ka stadiume. Mund të ketë vetëm në Podujevë apo Prishtinë. Për të pasur shikues në tribuna, duhet edhe rivaliteti. Tjetër arsye është edhe termini. Të gjitha ndeshjet luhen në orarin e njëjtë dhe qytetarët nuk kanë kohë për të përcjellë ndeshjet. Pra nëse një lojë luhet në ora 13:00 apo edhe 15:00, mundësia e qytetarëve është e vogël për të shikuar një ndeshje, pasi nuk mund të humbin vendet e punës. Por nëse luhet në orën 20:00 nën ndriçimin e reflektorëve, atëherë mundësia për të pasur më shumë shikues do të ishte më e madhe. Por arsyeja kryesore është infrastruktura sportive, që ka zbehur rivalitetin”, tha trajneri i Llapit, Tahir Batatina, për KOHËN të hënën.
Ai insiston se në “Zahir Pajaziti” të Podujevës, ku Llapi i zhvillon ndeshjet si vendës, ka pasur më shumë shikues në tribuna se në stadiumet e fushat ku skuadrat e tjera të Superligës i luajnë ndeshjet.
“Të dielën ndaj Prishtinës në Podujevë pres të ketë shikues. Por po të luhej loja nën ndriçimin e reflektorëve, jam i bindur se do të ishin deri 6.000 shikues”, ka theksuar Batatina.
Shumica e klubeve ndeshjet si vendës i zhvillojnë në fusha me bari sintetik. Ndër klubet më të dëmtuara shkaku rinovimit të stadiumit të Gjilanit janë Drita dhe Gjilani.
Në të kaluarën derbi ndërmjet Dritës dhe Gjilanit ka mbledhur deri në 8.000 shikues. Por derbi i qytetit të Gjilanit në vitet e fundit luhet pa praninë e dy tifozërive.
Trajneri i futbollit, Gani Sejdiu, mendon se klubet kanë punuar pak me shikuesit. Sipas tij, fokusi është në objektivat brenda fushës së lojës.
“Kemi menduar se është infrastruktura, ku të gjithë e dimë se 80 për qind e tyre nuk i plotësojnë kriteret për të parë një ndeshje. Thuajse të gjitha janë fusha me bar artificial, që shërbejnë për stërvitje. Por kur shohim Prishtina - Ferizaj, një kohë ideale, nën ndriçim të reflektorëve, ndalemi dhe shtrojmë pyetjen se a është vetëm infrastruktura apo çka ndikon. Është ndoshta një reflektim, menaxhim jo i mirë. Është problem i përgjithshëm. Vetëm investimi nga klubet nuk mjafton. Nuk kanë punuar shumë me tifozët. Duhet t’i motivosh tifozët. Në përgjithësi, kryesitë e klubeve kanë menduar vetëm për objektivat e tyre, por jo edhe për të ruajtur historinë, pasi tradicionalisht shikuesit kanë përcjellë gjithnjë klubet e tyre. Është një lloj neglizhence”, është shprehur Sejdiu.
Ndryshe nga klubet e futbollit, në basketboll drejtuesit bëjnë thirrje të vazhdueshme për t’i përkrahur lojtarët nga tribunat.
Një prej klubeve që mbush palestrën është Trepça.
Sigurimi i një bilete për ta përcjellë skuadrën e basketbollit Trepça në palestrën “Minatori” sfidë për shikuesit mitrovicas. Kërkesa, sidomos në plejof, është më e madhe se kapaciteti i palestrës buzë lumit Ibër.
“Kur palestra ‘Minatori’ është e mbushur, atmosfera është e jashtëzakonshme – është një motivim i madh për lojtarët dhe na jep energji edhe neve si klub. Jemi shumë krenar që kemi tifozë si ‘Torcida 1984’ dhe të gjithë qytetarët e Mitrovicës që na përkrahin pa u ndal. Kjo tifozëri është unike dhe shumë klube na kanë lakmi për të, me të drejtë. ‘Torcida’ është zemra e klubit dhe lojtari ynë i gjashtë në çdo ndeshje, sepse qëllimin tonë të përbashkët mund ta arrijmë vetëm të bashkuar – ashtu siç ishim në ndeshjen e fundit. Faleminderit qytetit të Mitrovicës dhe Torcida 1984 për dashurinë dhe përkrahjen e madhe”, ka thënë Izet Tahiri, drejtor i KB Trepça.
Ai thotë se është pozitiv fakti që edhe në palestrat e tjera numri i shikuesve është i madh.
Te KB Trepça shpresojnë të bëhen investime të reja në palestrën “Minatori” për rritje të kapacitetit të ulëseve.
Numër minimal të shikuesve ka edhe në hendboll e volejboll.