Futboll

Ortega vazhdon kontratën me Cityn

Stefan Ortega

Portieri gjerman Stefan Ortega ka vazhduar kontratën edhe për dy vjet me skuadrën e Manchester Cityt. Lajmin e ka bërë të ditur klubi të shtunën përmes rrjeteve sociale. Gjermani do të jetë pjesë e Cityt deri në verën e vitit 2026.

Ortega u shpreh i lumtur me rinovimin e kontratës.

“Jam i lumtur që do të qëndroj në Manchester City edhe për disa vite.  Ky është një klub futbolli që u ofron lojtarëve gjithçka që na nevojitet për të qenë më të mirët. Çdo ditë ndihem i motivuar dhe i sfiduar, dhe jam përmirësuar si portier që kur erdha këtu dy vjet më parë. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të thotë që tani mund të fokusohem 100% në sezonin e ardhshëm dhe më tej”, ka thënë Ortega.

31-vjeçari te City u transferua në vitin 2022, nga skuadra gjermane Arminia Bielefeld.

Në edicionin 2023/2024, Ortega ka zhvilluar 20 paraqitje me fanellën e Cityt në të gjitha garat. Ortega është portieri i dytë te Manchester City, ndërsa braziliani Ederson është i besuari i Pep Guardiolës për pozitën e startuesit.