Futboll

Optimizëm te Kosova U19 për ndeshjet kualifikuese për “Euro 2025”

Stervitja e Kosoves U-19

Përfaqësuesja e Kosovës U19 i ka nisur përgatitjet për ndeshjet kualifikuese të Grupit 10 për Kampionatin Evropian 2025. Kosova është nikoqire e Grupit 10 ku bëjnë pjesë edhe Spanja, Austria dhe Ishujt Faroe.

Ndeshjet do të zhvillohen nga 13 deri më 19 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. 

Te Kosova U19 vlerësojnë kundërshtarët, por janë optimist për rezultate pozitive. 

Selektori i Kosovës U19, Adil Maliqi, pret paraqitje të mëdha nga lojtarët e tij. Thotë se janë gjeneratë e artë.

“Cilësia që kemi është shumë e lartë. Kundërshtarët në grup janë goxha të vështirë, por as ne nuk jemi kundërshtar i lehtë, andaj na presin tri ndeshje shumë të mira dhe jam i bindur që do të triumfojë në fund. Motivimi tek lojtarët është absolut për ta prezantuar atdheun para publikut të vet dhe jam i bindur se ata tifozë që vijnë do të jenë lojtari ynë i 12-të dhe do të na japin një shtysë pozitive, e të cilën mund t’ua kthejmë me performancë në fushë”, ka thënë Maliqi.

Optimist janë shprehur edhe sulmuesi i Stuttgartit U19, Eliot Bujupi dhe futbollisti i Malishevës, Jerin Hadërgjonaj. 

Ndeshjen e parë Dardanët U19 e zhvillojnë të mërkurën kundër Austrisë. Përballë Spanjës luan më 16 nëntor, ndërsa ndeshjen e fundit e ka kundër Ishujve Faroe më 19 nëntor.