“Sapo ai prek topin, ju keni përshtypjen se diçka mund të ndodhë”.
Këto ishin fjalët e Ludoviq Obraniak drejtuar Edon Zhegrovës me të përfunduar ndeshja mes Lillet dhe Metzit e luajtur më 28 prill. Lille fitoi 2:1, ndërsa Zhegrova u vlerësua për paraqitjen për 87 minuta sa ishte në fushë.
“Sinqerisht, ky djalë ka gjithçka për t’u bërë top-lojtar”, ka theksuar ish-futbollisti i Polonisë. Ai në të kaluarën ka luajtur për Lillen dhe Metzin.
Karrierë ka bërë edhe te Bordeauxi, Werder Bremeni, Rizespori, Maccabi Haiga dhe Auxerre. Edhe ish-sulmuesi i Paris Saint-Germanit, Edouard Cisse vlerëson Zhegrovën.
“Ai është i rëndësishëm për ekipin sepse i jep siguri ekipit”, ka theksuar Cisse. Zhegrova 25-vjeçar me fanellën e Lillet ka shënuar 11 gola dhe ka asistuar 9 herë në 44 ndeshjet e këtij edicioni.
Zhegrova është nominuar për ta fituar epitetin e më të mirit në Francë. Në garë për më të mirin është edhe ylli i PSG-së, Kylian Mbappe.