Futboll

Nuk jep fitues drama në Ferizaj

Ferizaj - Malisheva

Malisheva shënoi gol në minutën e 93-të për rezultatin 1:0 nëpërmjet Drilon Hazrollajt. Por pesë minuta më vonë, Ferizaj siguroi penallti, të cilën në gol në minutën e 101-të e shndërroi Albion Kurtaj për t’ia siguruar ekipit të tij një pikë. Drama në Ferizaj përfundoi baras 1:1, ndërsa i takoi javës së 11-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Dy golat u konfirmuan nëpërmjet VAR-it. Goli i Hazrollajt fillimisht u anulua për pozitë jashtë loje, por pas rishikimit të situatës nga dhoma e VAR-it u konfirmua si i rregullt. Ndërkohë, edhe penalltia e dhënë në minutën e 98-të, u vlerësua i rregullt pas rishikimit të situatës nga gjyqtari kryesor i ndeshjes, Lirim Jashari. Dhe, kështu fundi i ndeshjes dramatike në mes të Ferizajt dhe Malishevës përfundoi baras 1:1. Takimi u zhvillua në fushën me bari sintetik në Ferizaj.

Malisheva mbetet pa fitore në tri xhirot e fundit. Ishte barazimi i dytë rresht, ndërsa ka edhe një humbje, kurse Ferizaj ka një barazim dhe tri fitore nga katër ndeshjet e fundit. Malisheva mbetet në vendin e dytë me 19 pikë sa ka edhe lideri Ballkani, kurse Ferizaj ngritët në vendin e shtatë me 14 pikë.